Lajme
Telashe në RTK, Ahmetxhekaj: Kemi fonde vetëm për gjysmën e rrogave
Demokracia
15:44 | 02 Maj 2023

Share:

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të RTK-së ka reaguar të hënën duke thënë se punëtorët e televizionit publik po mbesin pa paga. Ata akuzuan Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së duke thënë se po gjejnë kohë dhe para për të qëndruar disa ditë në një nga hotelet luksoze të Rugovës.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj sot i është përgjigjur këtyre kërkesave përmes një emaili ai ka njoftuar punëtorët se do të marrin vetëm gjysmën e pagës për muajin prill.

Në email-in që ka parë Gazeta Insajderi theksohet se RTK aktualisht ka buxhet vetëm për 50 për qind të kostos së pagave.

Si arsyetim për këtë punëtorëve të televizionit publik i është thënë se nuk janë pranuar fondet nga buxheti.

“Ne kemi kërkuar dhe po kërkojmë nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere që sa më parë të trajtojë raportet e RTK-së në mënyrë që të ekzekutohet transferi për periudhën prill-qershor“, thuhet aty.

Sindikata: Bordi i RTK-së pushoi disa ditë në një prej hoteleve më luksoze të Rugovës

Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës dje përmes një reagimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, e ka quajtur të papranueshme që punëtorëve të RTK-së të “vazhdohet t’iu shkelen të drejtat elementare të punës si mungesa e kushteve të punës, duke filluar prej karrigeve e deri te hapësira për punë, padrejtësitë në avancime, degradimet etj”.

Sipas kësaj sindikate, është papranueshme të “përndjeken” përfaqësuesit sindikal dhe punëtorët që ngrisin zërin për kushte më të mira të punës, kundër keqmenaxhimit dhe dukurive abuzive.

Të ngjashme