Arte
Jeton Neziraj për Demokracia.com: Teatri që bëhet megafon i Qeverisë e humbë kuptimin
Demokracia
12:39 | 17 Janar 2021

Share:

Urat e komunikimit krijohen vetvetiu kur njerëzit mund të lëvizin, të komunikojnë dhe të shkëmbejnë kulturë me njëri-tjetrin në mënyrë të papenguar. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, sipas dramaturgut Jeton Neziraj, i cili aktualisht është drejtor i Qendrës Multimedia, kjo gjë s’ka qenë e mundur për shkak se një shkëmbim i tillë është i penguar. Megjithatë, sipas tij, njëlloj normaliteti janë munduar ta sjellin artistët, përmes aktiviteteve artistike, shkëmbimeve e takimeve të ndryshme.

Në një intervistë për Demokracia.com, Neziraj thotë se ka shumë gjëra në mes, ka shumë paqartësi, shumë pikëpyetje nga të dyja palët, urrejtje, paragjykime e çka jo tjetër, megjithatë e artistëve është ta aspirojnë paqen. Sipas tij, prandaj ka lindur edhe teatri si antidot i luftës.

Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se teatri në natyrën e tij është edhe politik, por që vet nuk duhet të përfshihet politikisht. Ai thotë se e vetmja përfshirje dhe e vetmja anë, që artistëve u lejohet ta marrin është ajo e viktimave, e atyre që s’kanë zë dhe s’mund të flasin.

Demokracia.com: Sa e ka ngulfatur artin në Kosovë kjo gjendje pandemike gati njëvjeçare?

Jeton Neziraj: Tek do t’i shohim pasojat, në vitet në vazhdim. Por, gjithsesi, goditja është e prekshme dhe, do të thoja, dy drejtimëshe. Pandemia natyrisht e ka paralizuar thuaja tërësisht jetën kulturore te ne, edhe ashtu jo mirë të organizuar. Ka krijuar konfuzion në planifikim programesh, por edhe krizë ekzistenciale për një numër të madh krijuesish të pavarur. Natyrisht, ka edhe shumë detaje në mes. Ndërkohë, një goditje, po aq e fuqishme, skenës kulturore i ka ardhur nga shteti, respektivisht nga Ministria e Kulturës. Goditja e shtetit ka qenë mosmbështetja thuaja totale ose, të themi, ka pasë një mbështetje fare simbolike dhe nga paralajmërimet se kulturës këtë vit që nisëm i është shkurtuar buxheti për disa milionë. Shteti sërish u dëshmua se ka mungesë ndjeshmërie ndaj kulturës dhe problemeve me të cilat ballafaqohet ajo.

Demokracia.com: Krizat në shumicën e rasteve janë edhe mundësi. A mund të ishte kjo një mundësi edhe për një rikëndellje dhe për riorganizim të skenës së artit në vendin tonë?

Jeton Neziraj: Jo jo, natyrisht, nuk mund të flitet për kurrfarë këndellje. Ka pasur një lëvizje të vogël rrjetizimi e mobilizimi, megjithatë krejt këto janë hapa të vegjël, të pafuqishëm dhe të parëndësishëm. Në rastin e teatrit, ta zëmë, shumicës së teatrove iu është marrë buxheti i planifikuar për 2020. Teatrot tjerë e nisin 2021 me borxhe. Pra, pavarësisht se komuniteti teatror, ta zëmë, shfaq vullnet për punë e për organizim, shteti në njëfarë mënyre bëhet pengesë. Megjithatë, një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe koordinimit teatror ishte vjet në tetor, kur disa teatro në Kosovë, duke përfshirë teatrin e Gjilanit, teatrin e Ferizajt, Qendrën Multimedia e Teatrin Kombëtar, u mobilizuan dhe bashkërisht organizuan Kosovo Theater Showcase 2020, një panair i rëndësishëm ndërkombëtar i teatrit.

Demokracia.com: Ndërkohë, shfaqjet tuaja shpeshherë kanë krijuar debate publike dhe kanë qenë shumë provokative. Pse e ke zgjedhur këtë formë të protestës?

Jeton Neziraj:

Performancat teatrore janë akte artistike me të cilat artistët në skenë dhe të tjerët që kanë qenë të përfshirë në realizim komunikojnë me publikun për çështje të caktuara. Por, kur këto “çështje të caktuara” janë të natyrës politike dhe kur toni i këtij ‘komunikimi’ është kritik, atëherë natyrisht mund të lindin keqkuptime – besa edhe mospajtime – mes një grupi të caktuar të publikut e artistëve, mes artistëve e politikanëve e kështu me radhë. Natyrisht, ka plot artistë teatri që nuk duan të futen në këto ujëra dhe ata zgjedhin rrugë më të kollajshme. Pra, të realizojnë shfaqje të cilat ose kanë për qëllim vetëm të na argëtojnë, ose kanë të bëjnë me individin dhe jo me probleme më të gjera të shoqërisë. Por, teatri, në natyrën e tij është politik. Kështu që, edhe puna ime dhe e Qendrës Multimedia merr këso konotacione – pra, të një teatri politik, por i cili vetë nuk përfshihet politikisht. Në fakt, e vetmja përfshirje dhe e vetmja anë që na lejohet të marrim është ajo e viktimave, e atyre që s’kanë zë dhe që s’mund të flasin. Teatri që bëhet megafon i Qeverisë – i cilësdo, por sidomos i qeverive të dobëta e të rrezikshme – shndërrohet në instrument ideologjik dhe si i tillë e humbë kuptimin.

 

Demokracia.com: Ekziston një përpjekje permanente e politikanëve që t’i fusin duart ngapak edhe në skenën e artit dhe kulturës. Ti e ke bërë të kundërtën. Me shfaqjet e tua ke ngjallur shumë reagime në politikë. Le ta shtrojmë pyetjen paksa me shaka: pse ke dëshirë t’i fusësh duart ngapak në politikë?

Jeton Neziraj: Politika në fakt është interesuar për teatrin vetëm atëherë kur është ndjerë e rrezikuar. Nuk po them se kemi bërë ndonjë gjë të madhe, por disa herë, po, ia kemi trazuar pak ujërat politikës dhe ajo ka filluar të merret me ne – në disa raste, bile me nervozizëm. Por, jo, qëllimi nuk ka qenë dhe nuk është “t’i fusim duart në politikë’, as unë e as artistët tjerë të Qendrës Multimedia. Politika, veçanërisht kur i ka duart e përlyera dhe veçanërisht kur me ato duar të përlyera përpiqet ta njollosë shoqërinë, po, atëherë bëhet subjekt i teatrit. Dhe qëllimi i përfshirjes së teatrit është që kjo gjë të bëhet e dukshme. T’i bëhet e dukshme shoqërisë, para se gjithash.

Demokracia.com: Duket se arti megjithatë është për një gjë para politikës. Përmes punës tënde, ti ke arritur të krijosh ura të komunikimit me artistë serbë. Sa është i rëndësishëm ky bashkëpunim për tejkalimin e ndasive të thella që ekzistojnë ndërmjet dy popujve?

Jeton Neziraj: Urat e komunikimit krijohen vetvetiu kur njerëzit mund të lëvizin, të komunikojnë dhe të shkëmbejnë kulturë me njëri-tjetrin në mënyrë të papenguar. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, kjo gjë s’ka qenë e mundur, për shkak të rrethanave që i dimë. Megjithatë, njëlloj normaliteti në këto raportet Kosovë-Serbi janë munduar ta sjellin artistët, përmes aktiviteteve artistike, shkëmbimeve e takimeve të ndryshme. Dhe sjellja e këtij lloj ‘normaliteti’ s’ka dyshim se është e rëndësishme. Ka shumë gjëra në mes, ka shumë paqartësi, shumë pikëpyetje nga të dyja palët, urrejtje, paragjykime e çka jo tjetër, megjithatë e jona – e artistëve, është të aspirojmë paqen. Prandaj ka lindur teatri, si antitodë e luftës. Çdo lloj roli tjetër i artit, i teatrit, është komprometues dhe përtej mandatit të tij.

Demokracia: com: Ndërkohë, nga periferia, Qendra Multimedia ka ardhur në qendër. Cilat janë planet tuaja për këtë vit?

Jeton Neziraj: Po, tash jemi vendosur në teatrin Oda, e cila nga tash do të jetë shtëpi e jona. Bashkë me Odën jemi duke i harmonizuar planet për vitet që po vijnë. Ka plot sfida edhe financiare. Megjithatë, publikun e presin shfaqje të mira. Pandemia, si për krejt, edhe për ne ka qenë barrë e papërballueshme, megjithatë po shpresojmë që gjithcka do të marrë fund së shpejti dhe ne do t’i kthehemi punëve. /Demokracia.com

Të ngjashme