Barazia
Të vdesësh pa marrë drejtësinë, dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale të padokumentuara
Demokracia
09:01 | 05 Qershor 2021

Share:

Të dhënat e organizatave që trajtojnë viktimat e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë japin shifra shqetësuese për numrin e vdekjeve të personave të kësaj kategorie, dëshmitë e të cilave mbesin pa u trajtuar nga drejtësia. Katër organizata të ndryshme i thanë KosovaPressit se janë 33 viktima që i kanë identifikuar e që tashmë nuk jetojnë më, por ky numër mund të jetë edhe më i lartë.

Shumë dëshmi, rrëfime e përjetime të krimeve të luftës po mbeten të padëgjuara. Bashkë me trupat e tyre, po varrosen edhe dëshmitë e shumë grave e burrave që u dhunuan seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Derisa shumë prej tyre po jetojnë me pasojat traumatike, pati edhe të tjera që vendosen të mos jetojnë më. Familjarët u detyruan që të thonë se kishte vdekur nga ndonjë sëmundje, kjo për shkak të stigmës dhe mentalitetit. Katër organizatat që merren me të mbijetuarit e këtij krimi tregojnë për KosovaPress dhjetëra gra dhe burra që kanë vdekur që nga paslufta.

E vërteta e dhimbshme që përjetuan kosovarët vështirë po dëshmohet. Jo pse nuk po mund të argumentohet, sepse shumë gra e burra këtë e kanë nishan në trup e kujtim në mendje.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tregon për KosovaPress se 520 gra e burra vijojnë të marrin shërbime psiko-sociale për më shumë se dy dekada.

Përpos sëmundjeve, një numër i madh i të mbijetuarve bartin shumë pasoja që janë të ndërlidhura me përvojën traumatike. Ajo thotë se janë tetë raste kur kanë bërë vetëvrasje dhe dy tjera që kanë qenë në pritje të statusit.

“Tetë-nëntë persona në rajonin e Drenicës ku kemi punuar thuhet që kanë bërë vetëvrasje. Dhe si të tilla ato asnjëherë nuk janë vërtetuar apo lëshuar një dokument që ndërlidhet me të kaluarën e tyre historike. Kryesisht shoqëria jonë për t’i mbrojtur, apo për të mbrojtur vetën dhe emrin e familjes, i ka paraqitur si raste që kanë bërë vetëvrasje për shqetësime të natyrave të tjera. Duke mos e përmendur fare apo duke qenë e mbyllur ajo e kaluara e tyre si viktimë e dhunës seksuale”, tregon Rushiti për KosovaPress.

Në raport me Komisionin Qeveritar, dy nga to nuk kanë arritur të gëzojnë statusin e viktimës seksuale. Për kaq persona pothuajse kanë informacione edhe vet udhëheqësit e komisionit.

“Ne nuk kemi pasur raste të identifikuara me sa po më kujtohet kërkoj falje, ka qenë një rast ndoshta që nuk kemi arritur ta shqyrtojmë. Por nuk kemi pasur mundësi të shqyrtimit, një rast apo dy, nuk jam shumë e sigurt. Për arsye se puna jonë është me kode, ne nuk e hapim një aplikacion derisa t’i vjen radha ta shqyrtojmë në komision, pavarësisht që e kemi pranuar aplikacionin”, tregon ajo.

Disa nga viktimat besohet që kanë vdekur ditën kur ato përjetuan tmerrin. E shumë të tjerë të cilët jetuan me dhimbje të madhe, vendosen t’i japin fund jetës. Drejtoresha e Qendrës për Promovimin e Drejtave të Grave, Kadire Tahiraj thekson se familjarët janë detyruar t’i quajnë vdekje natyrore.

“Sipas të dhënave të grave, kemi të dhëna që nga paslufta deri më tani, kanë humbur jetën 12 gra. Fatkeqësisht disa nga këto gra ende nuk kanë arritur të trajtohen. Disa nga këto kanë bërë edhe vetëvrasje, për shkak të stigmës e paragjykimit. Po ashtu, edhe familjarët janë detyruar t’i quajnë vdekje natyrore për shkak të identifikimit të këtyre grave. Ne si qendër i kemi katër raste të cilat që nga themelimi kanë pësuar me vdekje. Fatkeqësisht vetëm i kemi identifikuar, nuk kanë arritur të marrin trajtimin nga qendra jonë”, tregon Tahiraj.

Shumë të tjerë nuk arritën të jetojnë më për shkak të pasojave që përjetuan pas dhunimit. Drejtoresha e organizatës “Medica Kosova”, Veprore Shehu tregon se janë tri raste që i kanë të identifikuara na rrethinën e Gjakovës dhe Deçanit.

“Prej fillimit të punës në organizatë, kemi raste të vdekjeve të të mbijetuarve, si pasojë e sëmundjeve të ndryshme kronike, gjithsesi ka ndikuar edhe kjo situatë me pandeminë, mirëpo gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit, i kemi tri raste të vdekjeve. E kemi një të mbijetuar të statusit të vajzës, mjaft e re 24 vjeçare, e cila ka vdekur si pasojë e dhunimit, fatkeqësisht me të cilën nuk kemi pasur rast të punojmë. Meqenëse kemi trajtuar nënën e saj dhe ajo është gruaja e cila ka përjetuar një dhimbje të madhe dhe ka kërkuar ndihmë psikologjike për shkak se vajza e saj kishte humbur jetën, për shkak se kishte mbetur e paralizuar për katër vjet pas luftës”, tregon ajo.

Përveç sëmundjeve dhe moshës, ka pasur të tjerë që kanë vdekur edhe gjatë kohës së pandemisë.

“Pastaj i kemi edhe raste të tjera, një nga një fshat i komunës së Gjakovës dhe një nga komuna e Deçanit, të cilat kanë ndërruar jetë si pasojë e sëmundje kronike që kanë patur. Gjithsesi ka ndikuar edhe situata me virusin e COVID-19. Ajo që është e rëndësishme, se asnjëra prej këtyre dy grave që kanë vdekur këto, nuk arriti të marrë drejtësinë e merituar për atë që kanë përjetuar. Ndërsa, kjo që vdiq para katër viteve nuk arriti të marrë as pensionin, së paku të përfitojë statusin si viktimë civile”, shton ajo.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare “Medica Gjakova”, Linda Sada tregon se numri i personave që kanë humbur jetën janë dy gra dhe një burrë. Këta të fundit kanë pasur sëmundje kronike.

Derisa autorët e këtyre krimeve po vazhdojnë të jenë të lirë, Feride Rushiti nga QKRMT thotë se është e frikshme se si shumë dëshmi të krimeve po mbeten të padëgjuara.

“Shteti duhet të ketë një mekanizëm që të arkivojë të gjitha plagët e luftës, përfshirë këtu jo vetëm viktimat e krimit, por edhe kategoritë e tjera të dala nga lufta. Megjithatë, ka pasur tentime që të krijohet, por nuk ka pasur qëndrueshmëri me iniciativat e shtetit”, ka përfunduar Rushiti.

Nga QKRMT kanë aplikuar për njohje të statusit 374 persona, 264 prej tyre kanë fituar të drejtën si viktima të dhunës seksuale të luftës, ndërsa katër raste janë refuzuar.

Përkundër përjetimeve të tmerrshme, shumë gra e burra po druajnë të aplikojnë për statusin e viktimës së dhunës seksuale. 22 vjet pas, nuk ka ndryshuar pothuajse gjë kur bie fjala për trajtimin dhe përkrahjen. Shumë prej tyre stigmatizohen për atë që kanë përjetuar. Po kaq vjet kanë kaluar dhe kryerësit e këtyre veprave nuk kanë marrë dënimin e merituar.

Të ngjashme
Lajme • 29 Mars 2024