Lajme
Të shtunën provohet edhe njëherë, krejt çka ndodhi në seancën e dytë të dështuar për konstituimin e Kuvendit
Demokracia
07:56 | 18 Prill 2025

Share:

Dje ka dështuar për herë të dytë konstituimi i përbërjes së legjislaturës së re të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thelluar edhe më shumë krizën institucionale që po zgjat për më shumë se dy muaj.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, në hapje të seancës ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime, duke theksuar nevojën për të shmangur “shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”.

Pas këtyre konsultimeve, Dehari njoftoi se nuk ishte arritur konsensus mes subjekteve politike dhe se seanca do të vazhdojë më 19 prill në ora 12:00. Ai deklaroi se letra e presidentes Vjosa Osmani, që i ishte dërguar Kuvendit, “ka dhënë sqarime në një aspekt, por jo zgjidhje përfundimtare”, duke u bërë thirrje deputetëve që të tregojnë vullnet për ta zhbllokuar procesin.

Prandaj, dje për herë të dytë dështoi konstituimi i Kuvendit.

Por, këtë herë nuk u hodh fare në votim raporti i Komisionit që do ta verifikonte kuorumin dhe mandatet.

Papajtueshmëria e pozitave ekzekutive me mandatin e deputetit dhe mungesa e një zgjidhjeje politike po e thellojnë edhe më tej bllokadën. Analistët paralajmërojnë se e vetmja rrugëdalje është Gjykata Kushtetuese.

Eugen Cakolli nga KDI, organizatë që monitoron punën e Kuvendit, konsideron se dje duhej të dilte një raport i ri dhe më pas të votohej.

“Raporti i komisionit nuk është votuar dhe nuk ka efekt juridik. Duhej të rikthehej në komision, të dilte një raport i ri dhe më pas të votohej, kjo është procedura”, ka thënë Cakolli.

Cakolli sheh dy rrugë: ose dorëheqje formale të ministrave, ose votim të raportit me shumicë të thjeshtë, nëse sigurohet një marrëveshje politike.

Por, që sipas tij, ky i fundit mund të sfidohej në Gjykatën Kushtetuese.

“Çdo shmangie nga zgjidhja kushtetuese bart rrezik që Gjykata ta kthejë të gjithë procesin në pikën zero”, ka shtuar Cakolli.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do të rrjedhë seanca e së shtunës, e cila i bie të mbahet pa bërë 48 orë të tjera nga thirrja e seancës konstituive.

Reagimet e ashpra ndërkombëtare

Kriza institucionale ka nxitur gjithashtu reagime nga ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, kërkoi formimin urgjent të institucioneve të reja.

“Kosova ka nevojë për një Kuvend dhe Qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë përgjegjësi dhe bashkëpunim politik”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, shprehu zhgënjimin e tij me ngecjen e procesit.

Ai kritikoi taktikat obstruktive të partive politike, duke thënë se qytetarët meritojnë udhëheqës që vendosin interesin e Kosovës përpara politikës partiake.

Seanca e djeshme ishte vazhdim i asaj të 15 prillit, e cila gjithashtu përfundoi pa asnjë vendim. Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, ndërsa 52 prej tyre ishin shprehur në përkrahje të raportit, duke përmbushur shumicën e thjeshtë të kërkuar. Megjithatë, raporti nuk u hodh fare në votim.

Përderisa partitë politike nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët, vendi mbetet në një ngërç institucional me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe funksionimin demokratik të shtetit.

Të ngjashme