Lajme
Të shtënat në mesnatë në “Mati 1”: Persona të armatosur shkaktuan panik dhe dëme materiale, ende s’ka të arrestuar
Demokracia
09:17 | 13 Maj 2025

Share:

Një situatë aspak e zakonshme dhe tejet e frikshme ishte mbrëmë gjatë natës në rrugën “Muharrem Fejza” të lagjes “Mati 1” në Prishtinë.

Si fillim disa persona u panë me armë të gjata derisa po lëviznin rrugës kryesore e më pas u larguan nga aty.

Por duke mos përfunduar me kaq, të njëjtit kanë shtënë me ato armë zjarri.

Si shkak i të shtënave me armë zjarri u dëmtuan edhe disa vetura.

Burime brenda prokurorisë në Prishtinë kanë bërë të ditur për Gazetën Express se, aktualisht nuk ka të arrestuar për këtë ngjarje e cila shkaktoi dëme materiale në dy vetura.

“Lëndime fatmirësisht nuk ka, vetëm dy vetura kanë pësuar dëme materiale. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 20 gëzhoja plumbash. Ende s’ka të arrestuar, po punohet në identifikimin e të dyshuarve”, kanë thënë këto burime për Express.

Të shtëna me armë janë dëgjuar në mesnatë afër rrugës B në Prishtinë.

Sipas raportimeve të para, plumbat kanë goditur edhe disa vetura të parkuara në afërsi të vendit të ngjarjes.

Sipas disa videove të publikuara në rrjete sociale, pas rastit në rrugën B ka pasur prani të shtuar të forcave të Policisë së Kosovës.

Njësitet e hetimeve dhe forenzikës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë sekuestruar provat. Pronarët e veturave të dëmtuara pritet të paraqiten për të dhënë deklaratat lidhur me dëmet materiale.

Rasti është cilësuar nga autoritetet si: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetim intensiv nga ana e Policisë së Kosovës.

Të ngjashme