Lajme
Të pashpresë, 57% e qytetarëve duan të ikin nga Kosova | Kurti fshehu të dhënat e frikshme të raportit që iu referua me mburrje
Demokracia
12:14 | 15 Tetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shkak të dështimeve të shumanshme në qeverisje, i ka rritur së fundmi përpjekjet e manipulimit të qytetarëve të Kosovës, qoftë përmes prezantimit apo edhe fshehjes së statistikave të organizatave të ndryshme.

Ai dje i është referuar raportit “Balkan Barometer 2023” për t’u mburrur gjoja me nivelin e kënaqshmërisë së qytetarëve me qeverisjen e tij, shkruan Demokracia.com.

“Dy vjet e gjysmë pas, Qeveria e 50.2% të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit 2021, gëzon besimin e 56% të qytetarëve, më të lartin në mesin e të gjithë qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023”, shkroi Kurti në rrjetin e tij social, Facebook.

Por, manipulimi me statistika, po dëshmohet çdo ditë e më shumë se është një sport i preferuar i Kurtit dhe njerëzve të tij.

“Barometri i Balkanit 2023” nxjerr të dhëna të tjera shumë shqetësuese për Republikën e Kosovës, e cila qeveriset nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Megjithkëtë, këto statistika të frikshme të tij nuk u prezantuan nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas “Balkan Barometer 2023”, të cilit i referohet Kurti me mburrje, kosovarët janë qytetarët që më së shumti në Ballkan duan ta braktisin vendin e tyre për shkak të mungesës së perspektivës.

“57% e qytetarëve të Kosovës duan të ikin nga vendi dhe të jetojnë dikund tjetër”, sipas këtij raporti dhe kjo përqindje është më e larta ndër vendet e rajonit.

Këto të dhëna shqetësuese dhe kaq të larta, sipas të dhënave të Balkan Barometer, janë regjistruar vetëm nga koha e ardhjes në pushtet të Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ishte proklamuar si qeveri e shpresës.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2020, kur Kurti u bë për herë të parë kryeministër, vetëm 43% e qytetarëve dëshironin të largoheshin nga Kosova. Kjo përqindje ra në vitin 2021, në 32%. Por, sa më shumë kohë që qytetarët përballeshin me modelin e keqqeverisjes së Kurtit dhe Vetëvendosjes, kjo përqindje vetëm sa u shumëfishua. Skandalet e njëpasnjëshme qeveritare ndikuan në nxitjen e dëshirës për t’u larguar nga Kosova. Vetëm gjatë vitit 2022, kjo përqindje ishte 59%. Ndërsa, në vitin 2023, ajo mbeti pothuajse e njëjtë, 57%. /Demokracia.com/

Të ngjashme