Ushtria izraelite ka vazhduar me sulmet ajrore në Rripin e Gazës.
Të paktën 36 persona, përfshirë gjashtë anëtarë të së njëjtës familje, janë vrarë sot nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur Mbrojtja Civile palestineze dhe burime spitalore.
Spitali indonezian në Jabalia njoftoi se ka pranuar trupat e nëntë viktimave pas një sulmi izraelit ndaj një stacioni policie në atë qytet në veri të territorit palestinez.
Ushtria izraelite e ka konfirmuar se ka kryer sulmin në atë zonë, duke sqaruar se kishte në shënjestër “terroristë që vepronin në qendrën e komandës dhe kontrollit të Hamasit dhe Xhihadit Islamik”.
Në një tjetër sulm ajror ndaj një shtëpie në pjesën veriore të qytetit të Gazës, u vra një familje gjashtëanëtarëshe – një çift bashkëshortësh dhe katër fëmijët e tyre – njoftoi Mbrojtja Civile.
Në disa sulme të tjera u vranë të paktën 21 persona, veçanërisht në Khan Junis, Al Zavaidë dhe qytetin e Gazës.