Lajme
Të paktën 19 civilë të vrarë në sulmin e Al-Shabab në Somali
Demokracia
23:36 | 03 Shtator 2022

Share:

Luftëtarët e Al-Shabab kanë vrarë të paktën 19 civilë dhe kanë shkatërruar kamionë të ngarkuar me ndihma ushqimore në një sulm gjatë natës në rajonin qendror të Somalisë.

Grupi i armatosur nisi sulmin në zonën Hiran në shtetin gjysmë autonom të Hirshabelle në Somalinë qendrore. Kamionët po transportonin furnizime ushqimore nga qyteti Baladweyne në qytetin Mahas, thanë banorët të shtunën.

“Terroristët masakruan civilë të pafajshëm që po udhëtonin mbrëmë. Nuk kemi numrin e saktë të viktimave, por 19 trupa të vdekur janë mbledhur”, tha për agjencinë e lajmeve AFP, Abdulahi Hared.

“Trupat e pajetë janë ende duke u mbledhur, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Ata mund të jenë më shumë se 20”, tha Ali Jeyte, guvernatori i rajonit Hiran, ku ndodhi sulmi.

Agjencia shtetërore e lajmeve Sonna raportoi se luftëtarët e Al-Shabab u vunë zjarrin kamionëve dhe “vranë shumicën e njerëzve në bordin e automjeteve”, raporton Al Jazeea.

Al-Shabab në një deklaratë tha se ata kishin në shënjestër luftëtarët e një klani lokal që kohët e fundit ndihmoi forcat qeveritare dhe se ata vranë 20 “milicë dhe ata që po transportonin materiale për ta”, duke shkatërruar nëntë nga automjetet e tyre.

Grupi i lidhur me Al-Kaidën ka luftuar me qeverinë qendrore të Somalisë për më shumë se një dekadë. Ajo dëshiron të vendosë sundimin e saj bazuar në një interpretim të rreptë të ligjit islam.

Grupi shpesh kryen sulme me armë, bomba dhe sulme të tjera ndaj objektivave ushtarake dhe civile.

Muajin e kaluar më shumë se 20 njerëz u vranë në një sulm në të cilin luftëtarët e Al-Shabab sulmuan hotelin “Hayat” në Mogadishu, duke shkaktuar një betejë 30-orëshe ndërsa trupat qeveritare kërkuan t’i jepnin fund rrethimit dhe të lironin pengjet.

Të ngjashme