Në kohen kur Serbia është në një “ofenziv” diplomatike për t`i përmirësuar raportet me SHBA-të, diplomacia e Kosovës është dorëzuar.
Prej muaj liderët institucionalë të Kosovës nuk kanë bërë ndonjë vizitë të rëndësishme jashtë vendit. Masat ndëshkuese të BE-së kanë bërë që diplomacia kosovare të ngujohet. Pjesëmarrja e vetme e Kosovës në arenën ndërkombëtare gjatë kësaj kohe ka qenë e reduktuar vetëm me prezencën e saj në seminare e samite multilaterale, raporton Nacionale.
Njohësit e politikës së jashtme kanë bërë me dije se Kosova ka dështuar në diplomaci.
Analisti Visar Ymeri ka vlerësuar se Serbia është duke e shfrytëzuar mungesën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Marrëdhëniet Serbi – Amerikanë janë duke u përmirësuar jashtëzakonisht shumë dhe shpjet. Ne pamë edhe vizitën, takimit e z. Chollet me ambasadorin e Serbisë në Uashington. Sepse është duke investuar shumë atje, ndërsa ne nuk po investojmë”, ka thënë ai në emisionin “Debat Plus”.
Sipas tij, diplomacia është tërhequr dhe po merret me gjera të kota.
“Diplomacia e jonë ka dështuar. Jo që nuk ka sjell njohje të reja, se ndoshta nuk ka mundur të sjell njohje të reja, po është tërhequr komplet. Po merren me gjera absolutisht të parëndësishme”, është shprehur Ymeri.
Edhe më i ashpër ka qenë ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se diplomacia e Kosovës është reduktuar në seminare dhe samite.
“Një konferencë në Athinë, një tjetër ngjarje vjetore në Alpbach, një e tretë në Bled. Diplomacia jonë tash është reduktuar në pjesëmarrjen nëpër panele ex officio në seminare e samite multilaterale.”, ka vlerësuar Selimi.
Sipas tij, liderët institucional janë izoluar.
“S’ka së fundi vizita bilaterale të rëndësisë strategjike, zero vizita në krejt kontinentet, izolim në shtëpi.”, është shprehur ai.
Ndërsa, ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiti, ka vlerësuar se “ndëshkimi amerikan” është duke i kushtuar Kosovës në fushën e politikes së jashtme.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se udhëheqësit e Kosova janë ngujuar në shtëpi, duke marr pjesë vetëm në takime rajonale.
Në mungesë të ftesave tjera, ka thënë ajo, në këto forume po marrin pjesë nga disa zyrtarë të lartë të Kosovës.
“Ndëshkimi amerikan kushton! treshja e shtetit e ngujuar në shtëpi, tash vrap pas ftesave te takimeve rajonale, madje duke shkuar dy tre në të njëjtin takim, duke lutur të hiqen sanksionet ndaj Kosovës…rënia e shëmtuar e diplomacisë se Kosovës!”, ka shkruar Tahiri.
Franca injoron Gërvallen
Republika e Kosovës është injoruar edhe në këto forumet rajonale ku ka marrë pjesë. Në Forumin e Bledit, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nuk është takuar nga ministrja e Francës për Evropë, Laurence Boone. Edhe paraprakisht, në komunikatën e MPJ-së së Francës, ku tregohej agjenda e ministres Boone për Forumin e Bledit, Gërvalla mungonte në listën e takimeve.
Në këtë listë, mungonte edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili mban pozitën edhe si kryeministër në detyrë.
Boone në rrjetin social Tëitter ka shkuar në lidhje me takimet që mbajti në Forumin e Bledit, me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Fillimisht, ajo takoi Bujar Osmanin, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut. Boone, u takua edhe me zëvendësministren e Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, derisa shtetin shqiptar e quajti “miqësor dhe vend partner”.
Ministrja franceze zhvilloi takim edhe me Elmedin Konakoviq, ministër i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, e krejt në fund, edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Pas takimit me këtë të fundit, ajo deklaroi se e ka “siguruar” Daçiqin për përkrahjen e Francës drejt integrimit.
“Inkurajova autoritet serbe që të ndjekin reformat e nevojshme dhe të përkushtohen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.” Ka vlerësuar përmes një shkrimi në Twitter.
Prej kur BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, as në Prishtinë nuk ka pasur vizita të rëndësishme. Gjatë kësaj kohe, Kosova është vizituar nga zyrtar jo të lartë të vendeve evropiane.