Lajme
“Të futemi me kokë në Procesin e Berlinit”| A e mbylli Edi Rama zyrtarisht Ballkanin e Hapur?
Demokracia
14:43 | 01 Korrik 2023

Share:

Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Kosovës Albin Kurti, tash e sa kohë i ndajnë shumë tema, për mënyrën se si ata e shohin politikën dhe pozicionimin e shteteve përkatëse në rajon.

Ndonëse, për shumë tema ende nuk kemi epilog, njërës nga to, që në fakt ishte kundërshtuar nga të gjithë akterët politik në Kosovë, siç duket i ka vënë pikën vet Kryeministri Rama. Bëhet fjalë për nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën siç duket Rama e mbylli edhe zyrtarisht sot.

“Të futemi me kokë në Procesin e Berlinit”, ka thënë ndër të tjera Rama, në një intervistë dhënë Euronewsalbania.

“Ballkani i hapur ishte, Procesi i Berlinit është”, çka tha Rama?

Në një intervistë dhënë për Euronews Albania, nga Ulqini i Malit të zi, Rama foli gjër e gjatë për një sërë mospajtimesh mes tij e Kurtit. Theksi kryesor i intervistës ishte situate në veri, rrjedhimisht masat që BE, ka filluar t’i marrë kundër Kosovës.

Por, në bisedë e sipër Rama në njëfarë mënyre e mbylli Ballkanin e Hapur, projekt ky i nisur nga vet ai.

Kryeministri i Shqipërisë “mbylljen” e Ballkanit të Hapur, filloi ta argumenojë duke përmendur faktin se Procesi i Berlinit po zhvendoset me kryeqendër në Tiranë, e se mundësitë ekonomike janë të mëdha.

“Në tetor Shqipëria pret për herët të parë, qysh se në 2014-ën kur Angela Merkel hapi Procesin e Berlinit, pra në Tiranë. Është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ne jemi përgatitur për një hap të madh përpara, po punojmë me BE-në për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike për gjith vendet e rajonit. Duam shumë ta konkretizojmë në samitin e Berlinit në tetor. Është një plan real.

Ursula Von Der Leyen e dha një mesazh të parë në lidhje me planin, për të rritur financimin, për të rritru akcesin e vëndeve të Ballkanit Perendimor në tregun e përbashkët.” – tha fillimisht Rama.

Tutje gjatë intervistës, i pari i qeverisë shqiptare ballkanit të hapur i referohej në të shkuarën, duke thënë se “ishte një projekt”, e për Procesin e Berlinit tha se aty “ne duhet të futemi me kokë”.

“.. dhe ndërkohë që ne duhet të merremi me këtë, natyrisht se Procesi i Berlinit është tanimë aksi ynë kryesor.

Ballkani i hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer atë misionin për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi. Kemi mundësi ta zotërojmë këtë proces. Kemi mbështetjen e madhe të kancelarit Scholz.” – ka thënë Rama.

Çka “ishte” Ballkani i Hapur

Plani për krijimin e Ballkanit të Hapur është bërë më 10 tetor të vitit 2019 në Novi Sad të Serbisë, ku kanë marrë pjesë udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Synimi i kësaj nisme rajonale, e cila fillimisht është quajtur “Mini Schengen”, është rritja e bashkëpunimit në mes ë vendeve të rajonit, duke lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve.

Tri shtetet themeluese kishin mbajtur disa takime, ku kanë nënshkruar edhe marrëveshje dhe memorandume që kanë për qëllim lëvizjen e lirë të qytetarëve, lehtësimin e importit dhe rritjen e bashkëpunimit për qasje të lirë në tregun e punës, shkruan Nacionale.

Themeluesit e kësaj nisme vazhdimisht i kanë ftuar edhe tri vendet tjera që t’i bashkohen kësaj nisme rajonale.

Në Kosovë u kundërshtua nga të gjithë
Kjo nismë në Kosovë u kundërshtua nga të gjithë. Kurti ishte kundër, Osmani gjithashtu. As opozita nuk e përkrahu asnjëherë, ani pse brenda partive opozitare kishte aty këtu ndonjë zë që e përkrahte.

Çka thoshte Kurti?

Kurti, nismën Ballkani i Hapur e kishte parë në prizmin e ndikimit rus në rajon.

“Ballkani i Hapur ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet” – pati thënë Kurti.

Presidentja Osmani gjithashtu pati thënë me këmbëngulje se vetëm Procesi i Berlinit është rruga.

“Besojë fuqimisht se Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme për rajoni. Ballkani i Hapur vonon integrimin evropian dhe synon të zëvendësojë Procesin e Berlinit, i cili është i pamundur. Kjo iniciativë që u nis nga Novi Sad, nuk e përfshiu Kosovën si të barabartë me të tjerat shtete” – thoshte Osmani.

Edhe kreu opozitar Memli Krasniqi, e kishte cilësuar Ballkanin e Hapur si projekt që nuk ofron platformë për Kosovën.

“Çkado që është brenda procesit të Berlinit qoftë edhe përmes një, po e quaj kushtimisht, ringjalljeje të këtij procesi, ne do të ishim të gatshëm me diskutu dhe me i pa modalitet e përfshirjes së Kosovës, por “Ballkani i Hapur” besoj që për Kosovën tashmë është e qartë që nuk ofron platformën ku ne mund ta kemi sigurinë e mjaftueshme se do të trajtohemi në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”

Kreu i LDK-së, si argument për kundërshtim të Ballkanit të Hapur e kishte marrë, garancën ndërkombëtare, që sipas tij mungon. Kurse Procesi i Berlinit sipas Abdixhikut kishte garanca të forta dhe ishte rrugë e duhur për integrim

“Janë 2 procese paralele në këtë drejtim, “Procesi i Berlinit” që ka garanca ndërkombëtare dhe në formën e paraqitur është një paradhomë e integrimit evropian. “Open Balkan” s’e ka as garancën e as integrimin evropian për këtë arsye nuk e mbështes”- pati thënë Abdixhiku.

Të ngjashme