Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se kanë ftuar një debat parlamentar për zhvillimet në politikën e jashtme.
Ai tha të hënën, në një deklarim për media se në debat i ftojnë edhe kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Grupi jonë parlamentar edhe ditëve të fundit ka nxjerrë një mori vërejtjesh sa i përket mosangazhimit të Qeverisë në politikën e jashtme. Dështimit, degradimit dhe besoj që është mirë që edhe Kurti e Gërvalla të vinë dhe të ballafaqohen me argumentet e deputetëve të opozitës”, tha Tahiri.
Sipas deputetit të PDK-së, Qeveria duhet të reflektojë mbi qeverisjen e jashtme, pasi siç tha ai, nuk ka pasur ndonjë angazhim
“PDK-ja po ashtu do të prezantojë kërkesën për themelimin e një Komisioni hetimor sa i përket çështjes së ngritjes së energjisë elektrike. Ky proces besoj se është shoqëruar me shumë parregullsi”, tha tutje ai.