Lajme
Të drejtat e shqiptarëve në rajon, Haxhiu: Nevojitet një politikë e re për bashkëpunim
Demokracia
21:37 | 02 Mars 2021

Share:

Ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu po kërkon hartimin e një politike të re për bashkëpunimin më të madh me Shqipërinë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon.

Gjatë një tribune të organizuar sonte në platformën online Zoom, me rastin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, Haxhiu tha se nuk ka një platformë të qartë për vazhdimin e bashkëpunimit të shqiptarëve në rajon, duke pasur parasysh se të drejtat e tyre po shkelen në vazhdimësi.

“Shqiptarët në Mal të Zi dhe Serbi janë nën mëshirën e këtyre vendeve, pasi që ata vazhdojnë të diskriminohen. Nevojitet një politikë e re dhe një qasje të re me Shqipërinë për bashkëpunimin e shqiptarëve në rajon”, tha Haxhiu.

Besëlidhja e Lezhës shënon një hap përcaktues përpara në historinë kombëtare për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare por edhe ofron frymëzim për nisma të tjera në të ardhmen, po aq të rëndësishme.

Mbi parimet e Besëlidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë, u themelua edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Besëlidhje të tjera autentike kombëtare, të cilat bazoheshin në kodeksin shqiptar të organizimit për mbijetesë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë, ku ekzistenca e kombit shqiptar u vu në rrezik dhe përgjigja shqiptare ishte e fuqishme për të ndaluar planet dhe vendimet e huaja që binin ndesh me vetë mbijetesën dhe krijimin e një shteti shqiptar. /Kp

Të ngjashme