Lajme
Të djathtët në Serbi mblidhen në “mbështetje të serbëve në Kosovë”
Demokracia
20:18 | 28 Qershor 2023

Share:

Partitë e djathta opozitare në Serbi u mblodhën mbrëmjen e 28 qershorit në Beograd, në shenjë mbështetjeje për serbët nga Kosova.

Tubimin e organizoi “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, me mbështetjen e partive të djathta, përfshirë edhe partitë opozitare parlamentare: Dveri dhe Zavetnici. Në tubimin që vazhdon, dëgjohen këngë nacionaliste për Kosovën dhe është shpalosur pankarta: “Stop terrorit ndaj serbëve në Kosovë e Metohi”.

Të tubuarit valëvisin flamuj të Serbisë dhe slogane “s’ka dorëzim”, në të cilat figuron po ashtu harta e Kosovës. Ata kërkojnë mbështetjen e Rusisë për politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Në mesin e kërkesave të tyre dëgjohet lirimi i serbëve të arrestuar në veri të Kosovës, të cilët Policia e Kosovës i ka identifikuar si organizatorë të incidenteve në atë zonë, gjatë muajit të kaluar.

Gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve, kritika ndaj Vuçiqit. Folësit në protestë u drejtuan me fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Ata kritikuan edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Qeveria në Serbi u quajt “tradhtare”. /evropaelire

Të ngjashme