Të gjitha po tentojnë të kuptojnë se cili do të jetë hapi i radhës i Putinit kur bëhet fjalë për Ukrainën. Katër shtete tashmë e kanë tërhequr personelin e ambasadave nga Kievi pasi që tensionet e kanë arritur kulmin.
Por lufta në fakt ndoshta ka filluar, thuhet në analizën e BBC-së, transmeton Demokracia.com.
Kolumnisti i BBC-së, Johnattan Marcus thekson se në të gjitha mediave botërore po dominojnë titujt për mundësinë gjithnjë më të madhe për konforntime të hapura.
“Apo, nëse presidenti rus tashmë e ka ndarë mendjen për sulm ndaj Ukrainës… ose a mund ta shpejtojë diplomacia këtë gjë? Mirëpo, ne nuk mund të hyjmë në kokën e Vladimir Putinit”, shkruan Marcus, dhe më pas e shtron pyetjen logjike, se si do ta dimë se kur ka filluar lufta?
Presidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur unitet “të plotë” në mesin e fuqive të Perëndimit, pas video-thirrjes që ka realizuar me liderët evropianë për të diskutuar si të ndalet Rusia nga pushtimi i Ukrainës.
Biseda 80-minutëshe, e realizuar më 24 janar, ka ndodhur në kohën e rritjes së shqetësimeve se Rusia mund të bëjë së shpejti lëvizje ushtarake në Ukrainë.
Pentagoni ka thënë se 8,500 trupa amerikane janë në pritje për angazhim të mundshëm në vendet anëtare të NATO-s.
“Kam pasur takim shumë, shumë, shumë të mirë – unitet i plotë me të gjithë liderët evropianë”, u ka thënë Biden gazetarëve pasi ka përfunduar thirrjen me liderë të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe NATO-s.
Uashingtoni është duke tentuar të mbajë unitet transatlantik për të ndërtuar një kërcënim kredibil të sanksioneve, si masë parandaluese kundër Moskës, prej së cilës blloku evropian siguron rreth 40 për qind të furnizimeve me gaz natyror.
Qeveria e re e Gjermanisë është përballur me kritika nga Kievi, pasi ka refuzuar të dërgojë armë për mbrojtje në Ukrainë.
Pas bisedës me Bidenin, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se Rusia përballet me “pasoja shumë të rënda” nga Perëndimi nëse sulmon Ukrainën, dhe ka thënë se “i takon Rusisë që të ulë tensionet”.
Qeveria franceze ka njoftuar se zyrtarët rusë dhe ata ukrainas do të takohen bashkë me zyrtarët francezë dhe ata gjermanë më 26 janar në Paris, për të gjetur zgjidhje për krizën.
Presidenti francez, Emmanuel Macron “beson se ka hapësirë për diplomaci dhe rrugë për ulje tensionesh”, ka thënë një këshilltar i tij për agjencinë e lajmeve AFP, duke konfirmuar se Macron do të bisedojë me Putinin në “ditët në vazhdim”.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka bërë paralajmërime tjera duke thënë se inteligjenca tregon që “është shumë e qartë se rusët nuk synojn të ulin tani tensionet”.
Kirby ka thënë se rreth 8,500 ushtarë amerikanë janë gati për angazhim të mundshëm.
Disa njësite do të urdhërohen që të jenë gati për angazhim me vetëm pesë ditë paralajmërim.
“Kjo ka të bëjë me sigurim të aleatëve tanë të NATO-s”, ka thënë Kirby.
“Kjo dërgon mesazh të qartë për Putinin se ne i marrim shumë seriozisht përgjegjësitë tona në kuadër të NATO-s”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se Shtetet e Bashkuara janë duke përshkallëzuar tensionet dhe se Rusia po i shikon veprimet e saj me “shqetësim të thellë”.
“Shtetet e Bashkuara po përshkallëzojnë tensionet”, u ka thënë Peskov gazetarëve në Moskë. /Demokracia.com/