Intervista
​“Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, rrëfen e moshuara nga Izbica për vrasjen e burrit të saj
Demokracia
14:21 | 28 Mars 2023

Share:

“Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, kështu rrëfen nënë Eminja e cila kujton mirë ditën e ftohtë të 28 marsit, kur pa për herë të fundit bashkëshortin e saj.

E moshuara nga Izbica tregon për rezistencën para ushtrisë e policisë serbe që bashkëshorti i saj mos të ndahet nga kolona. Ajo po jeton me pamjet e tmerrshme dhe zërat që i përsëriten në kokë të kërcitjeve të armëve që nuk u ndalën për më shumë se 20 minuta.

Për rreth 12 muaj, Emine Dajaku bashkë me fëmijët po strehoheshin kudo, pas djegies së shtëpisë. Ajo tregon për KosovaPress se si në Izbicë ranë në tytat e armikut, ku vet u plagos e burrin ia vranë.

“Burri mu ka vra këtu në Izbicë, në opqinë jena ardh, se në ’98 na janë djegur shtëpia, tani një vit nëpër dynja duke ndejt. Burri tha duam të shkojmë në Izbicë, jena ardh. Burri ka qenë ulur në traktor na ka sjell mua, fëmijët e djalit, renë, fëmijët e mi, tha shkau shqip foli ‘qu shqiptare, çfarë po pret’. Jam quar unë, i thash çfarë të kesh punë me burrë unë jepi përgjegjësi se është i bërë operacion në kry. Tha ‘tash do ta bëjmë operacion në fyt’. Kom piskat ‘kuku’, e kam kap burrin për krahu, ma ka kërsit një shkelëm në shpinë, më ka hedhur fluturim në lloq (baltë), më ka humb vetëdija, kur u qova, piskatën rejat, çikat, u qova. Burri nuk është. Nuk ka shkuar dy minuta, kanë kërsit pushkët ‘grrr’, 20 minuta edhe më shumë pa ndalë”, rrëfen ajo për KosovaPress.

Ajo thotë se nga ajo ditë nuk e ka parë më të gjallë bashkëshortin, e bashkë me fëmijë janë nisur për Shqipëri. Gruaja e të vrarit rrëfen se policia serbe kishte hedhur tri granate në drejtim të kolonës.

“Unë jam plagosur, çika jem edhe djali i djalit. Edhe unë jam mbetur aty, çika 10 vjet më është ndarë e plaguar. Neve na kanë dërguar për Shqipëri, tri ditë e tri net duke piskatur fëmija pa hëngër e pa pi, fëmijët në shpinë deri në Shqipëri. Pak pa shkuar në Shqipëri, djali i djalit dy vjeç e kam kapur prej qafës, thash ta shoh a është i gjallë apo i vdekur, ish ngri”, shton ajo mes emocioneve.

Një grusht eshtra, siç tregon ajo, gjetën nga trupi i bashkëshortit, pesë vjet pas përfundimit të luftës.

“Nuk e kemi ditë, pesë vjet nuk e kanë gjet kufomën, duke i kërkuar. Derisa është shkuar djali i vogël në Prizren, dy herë kam shkuar edhe unë në Prizren me kërkua në bazë të rrobave, por pesë vjet. Deri në vitin 2005 i kemi gjetur një grusht eshtra”, përfundon Dajaku.

Nënë Eminja lutet edhe për ish-luftëtarët e UÇK-së, që tash e tri vjet po mbahen në Hagë. Për të njëjtit thotë se po gjykohen padrejtësisht dhe se të njëjtit dikur i mbronin popullatën civile.

Të ngjashme