Pas mbledhje së qeverisë, kryeministri Albin Kurti ripërsëriti vendimin për targa edhe në një postim në rrjetin social “Facebook”. Anipse pas vendimit të qeverisë reagoi Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Sekretari, Antony Blinken, Kurtit duket se nuk i bënë përshtypje këto reagime.
Ai ka shkruar se qeveria ka treguar vendosmëri për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
“Në këtë mënyrë kemi treguar vendosmërinë për zbatimin e vendimeve tona dhe përkushtimin e kontributin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, e që ishte edhe brengë e partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Jemi të bindur se sundimi i rendit e ligjit dhe paqja e siguria shkojnë e mirëmbahen bashkë”, ka shkruar ai.
Ndërsa më tej Kurti ritregoi edhe njëherë etapat e zbatimit të vendimit për targat.
“Në mbledhjen e dytë të Qeverisë këtë javë, qartësuam zbatimin e vendimit për targa, që nis me 1 nëntor. I ndarë në tre etapa dhe shkallë, zbatimi fillimisht nisë me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor. Pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntor 2022 deri më 21 janar 2023. Nga 21 janari 2023 deri më 21 prill 2023 do të vendosen targat provuese për veturat me targa ilegale. Ndërkaq pas datës 21 prill të vitit 2023, nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale”, ripërsëriti Kurti.
Sekretari Antony Blinken është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila ka refuzuar t’i respektojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat.
Blinken i ka thënë mediumit The Pavlovic Today se Kosova ka të drejtë që ta implementojë vendimin nën Marrëveshjen e Brukselit, por se kërkesa që të shtyhet afati, u refuzua nga kryeministri Kurti.
Shtetet e Bashkuara thanë se së bashku me faktorin ndërkombëtar kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj.
LEXO EDHE:
SHBA e dëshpëruar me Qeverinë Kurti: Refuzuan kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë për targat