Instagram po prezanton një veçori të re që e quan Pëlqimet në Story Private, e cila ju lejon të pëlqeni Insta Story-n e dikujt pa i dërguar një mesazh. Më parë, çdo përgjigje që i dërgonit dikujt në lidhje me një Story, qoftë kjo një emoji apo një mesazh i plotë shfaqej si përgjigje në kutinë e tyre hyrëse në DM. Me këtë veçori të re, ju mund të tregoni njëfarë vlerësimi për një fotografi apo video pa dërguar mesazh.
“Tani, ndërsa kaloni nëpër Stories, mes pjesës ku mund të shkruar mesazhin dhe ikonës ku dërgohet, do të ketë një ikonë zemre”, tha kreu i Instagramit Adam Mosseri në një video.
Dhe nëse e prekni, ai do t’i dërgojë personit një pëlqim dhe ky pëlqim do të shfaqet në fletën e shikuesve, jo në mesazhe.
Veçanërisht, Stories nuk do të kenë numra pëlqimesh, që është një qasje shumë e ndryshme nga ajo që Instagram ka zgjedhur për përdoruesit në Feed. Instagrami (i cili tani është nën menaxhimin e Metës) kaloi më shumë se dy vjet duke testuar fshehjen e numrit të pëlqimeve që mund të marrë një person në postimin e tij.
Për pëlqimet në Stories, nuk do të shihni një numërim publik, megjithëse mund të shihni se kush ka lënë një pëlqim kur shikoni personat që kanë parë Story-n.
“Ideja këtu është të sigurohemi që njerëzit të mund të shprehin më shumë mbështetje për njëri-tjetrin, por edhe të pastrojnë pak DM-të”, tha Mosseri.