Lajme
Tani i lutet BE-së t’ia heq sanksionet Kosovës, por në fillim Kurti improvizonte normalitetin dhe zhvillimin e vendit
Demokracia
15:01 | 04 Shtator 2023

Share:

Republika e Kosovës, si shtet i formuar me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të fuqishme të BE-së, prej disa muajsh është nën saksione politike dhe ekonomike të Bashkimit Evropian.

Sanksionet përfshijnë pezullimin e fondeve IPA 2024, përjashtimin e Kosovës nga takimet e nivelit të lartë dhe pezullim të vizitave bilaterale. Gjithashtu, nuk janë marrë parasysh as propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) si dhe është pezulluar puna e trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

BE jep detaje për sanksionet ndaj Kosovës: Kanë hyrë në fuqi, njoftuam Qeverinë më 28 qershor

Përgjegjësi kryesor për këtë situatë të paprecedentë për Kosovën si shtet i ri, është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shkak të moskoordinimit të veprimeve në veriun e Kosovës me ShBA-të dhe BE-në, shkruan Demokracia.com.

Jashtë përgjegjësisë së tyre institucionale, por edhe historike, nuk mbetën as dy drejtuesit tjerë shtetërorë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, të cilët kanë mbështetur hapur dhe pa kundërshtime veprimet e kryeministrit Kurti.

Dy muaj pas këtyre sanksioneve, drejtues të biznesit kanë filluar të tregojnë për pasojat që kanë filluar të shfaqen në funksionimin e tyre normal. Sanksionet e BE-së “mund të shkaktojnë dëm deri në 500 milionë euro”, ka përllogaritur kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

“Masat e ndërmarra nga institucionet ndërkombëtare kundër Kosovës kanë prekur pothuaj se ekonominë e përgjithshme politike në integrimin dhe Kosova po ngecë në këtë drejtim. Sipas parallogarive tona nëse këto masa do të vazhdojnë më tutje dëmet do të jenë mbi 500 milionë euro”.

Edhe pse në fillim kryeministri Kurti është munduar ta fshehë ndikimin real që këto sanksione do të kenë mbi shtetin e Kosovës dhe ekonominë e saj, tani edhe vetë ai ka filluar të shfaq lutje publike për Bashkimin Evropian që të largojë masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.

Në një intervistë për prestigjiozen amerikane, Bloomberg, gjatë qëndrimit në Slloveni në kuadër të forumit Strategjik të Bledit, Kurti ka theksuar se masat shtrënguese të Unionit “po e dëmtojnë vendin në aspektin e mbështetjes financiare” të cilat i alokohen Kosovës në form të granteve dhe kredive nga BE-ja.

“Masat po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”, ka thënë Kurti në një intervistë për Bloomberg, në fund të muajit gusht.

Kurti pranon se masat ndëshkuese të BE-së po e dëmtojnë Kosovën në aspektin socio-ekonomik

Së fundmi, Kurti, përmes partisë së tij ka treguar se angazhimi i tij do të mbetet largimi i këtyre masave.

“Në planin e dialogut do të insistojmë që të respektohet marrëveshja e nënshkruar në Bruksel dhe të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e datës 3 shtator 2023 të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, çfarë kishte ndodhur në fillim të muajit korrik menjëherë pasi Bashkimi Evropian kishte njoftuar zyrtarisht për sanksionet ndaj Kosovës?

Nëse shikohen aktivitetet e kryeministrit Kurti, në rrjetin e tij social, mungojnë deklarimet e tij për gjendjen e krijuar.

Ajo që bie në sy është vrapimi i Kurtit për të shfaqur hapur moskokëçarjen ndaj sanksioneve dhe për të prezantuar një pamje të pavërtetë.

Kryeministri Kurti, për disa ditë më radhë pas publikimit të sanksioneve, në fillim të korrikut, ka vizituar vendpunishte të rrugëve të ndryshme në Kosovë, për të dhënë mesazhin se pavarësisht këtyre sanksioneve, Kosova është duke vazhduar punën me normalitet.

Megjithëkëtë, këto veprime të Kurtit s’ishin gjë tjetër veçse improvizime dhe aktrime. Tash, ai ka filluar të ballafaqohet drejtpërdrejt me pasojat e rënda që këto sanksione kanë për shtetin e Kosovës. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme