OpEd
Taktizimet dhe kalkulimet politike do t’i kushtojnë Kosovës
Demokracia
08:29 | 22 Prill 2025

Share:

Nga: AUGUSTIN PALOKAJ

Krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve nuk është një lojë futbolli. Nuk shkohet në lojë me taktizime dhe kalkulime për ta befasuar kundërshtarin, as me pritjet që gjatë lojës do të ndodhë ndonjë befasi dhe në fund rezultati të jetë i favorshëm. Krejt çfarë kemi parë prej natës zgjedhore e deri më sot na bën të besojmë se Kosova nuk do të ketë qeveri stabile, e cila do të ishte në gjendje të marrte vendime vitale për vendin. Në skenën ndërkombëtare kjo do të thotë stagnim, pa anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe pa lëvizje drejt BE-së. Qasja përjashtuese e partive politike i ka bërë faktorë vendimtarë deputetët e pakicave.

Është bërë vështirë të kuptohen lojërat që po luajnë partitë politike të Kosovës, prej kur u zhvilluan zgjedhjet. Nga partia fituese, Vetëvendosje, herë thonë “i kemi votat”, e pastaj, kur dëshmohet se nuk i kanë pasur, fajësojnë opozitën. E opozita mban qëndrim përjashtues ndaj Vetëvendosjes, duke e pritur dështimin e saj për të bërë përpjekje që ata ta formojnë shumicën parlamentare. E në këtë lojë janë bërë të gjithë ekspertë të interpretimit të ligjeve, të Kushtetutës dhe të procedurave. Harrojnë se procedurat mund të jenë pengesë ose ndihmesë, varësisht nga vullneti politik. Kjo lojë që po e luajnë na tregoi edhe një herë se sa absurde janë disa ligje, vendime të Kushtetueses apo procedura në Kosovë. Sidomos mbajtja apo jo e dy posteve në dy pushtete të ndara në të njëjtën kohë.

Nuk duhet të jetë dikush ekspert për ta ditur se, qëkur ekziston demokracia dhe e drejtat e shtetit, janë ndarë tri pushtete parimore – ai legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kjo ndarje me automatizëm e përjashton mundësinë që dikush të jetë edhe në qeveri, edhe në Kuvend. Por në anën tjetër, shteti në asnjë moment nuk mund të mbetet pa qeveri. Duhet të ketë një lloj qeverie, pa marrë parasysh a është “teknike”, “kalimtare”, “në detyrë” apo “e dorëhequr”. Në shumicën e shteteve, ata anëtarë të ekzekutivit, pra qeverisë, që zgjedhjen si deputetë, ua lëshojnë pozitën e deputetit zëvendësve të tyre, aty ku ka njësi zgjedhore, apo ndonjë personi që është në radhë në listën zgjedhore. Dhe nëse ai anëtar i qeverisë nuk do të jetë më në qeveri, mund ta aktivizojë mandatin në Kuvend.

Në këtë mënyrë evitohet përzierja e palejueshme e pozitave në ekzekutiv dhe legjislativ. E gjithë kjo në Kosovë po ndodh në kohën kur nga bashkësia ndërkombëtare ka thirrje që të formohet një qeveri stabile sa më parë. Vërehet kësaj radhe se nuk ka as dëshirë, as vullnet e as qëllim që dikush nga jashtë të ndërhyjë për t’ua zgjidhur kosovarëve ketë ngërç politik. Kjo do të duhej të shihej si diçka e mirë pas një kohe të gjatë, kur negociatat për krijimin e shumicës në Kuvend bëheshin më shumë nëpër ambasada të huaja sesa mes partive politike. Por kjo mund ta lërë Kosovën pa një shumicë stabile edhe për një kohë të gjatë. Sidomos nëse partitë politike nuk vetëdijesohen dhe nuk heqin dorë nga taktikat apo kalkulimet politike përmes të cilave synojnë të jenë në pushtet. Krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve nuk është një lojë futbolli. Nuk shkohet në lojë me taktizime dhe kalkulime për ta befasuar kundërshtarin, as me pritjet që gjatë lojës do të ndodhë ndonjë befasi dhe në fund rezultati të jetë i favorshëm. Krejt çfarë kemi parë prej natës së ditës zgjedhore e deri më sot na bën të besojmë se Kosova nuk do të ketë qeveri stabile, e cila do të ishte në gjendje të marrë vendime vitale për vendin.

Në skenën ndërkombëtare kjo do të thotë stagnim, pa anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe pa lëvizje drejt BE-së. Qasja përjashtuese e partive politike i ka bërë faktorë vendimtarë deputetët e pakicave. Është e natyrshme dhe e dëshirueshme për demokracinë që pakicat të jenë të përfaqësuara sa më shumë. Por kur nga pakicat varet fati i qeverisë, atëherë shteti bëhet objekt edhe i shantazhimeve. Dhe ndonjëherë çmimi që duhet paguar mund të jetë shumë i madh. Kosova është rast i veçantë edhe për shkak se ka një përqindje disproporcionale të vendeve të rezervuara për deputet të komuniteteve joshumicë. Por në anën tjetër, pa marrë parasysh se sa vota marrin, ata që bëhen deputetë janë anëtarë të barabartë të Kuvendit dhe vota e tyre vlen po aq sa edhe e cilitdo deputet tjetër. Tashmë është pothuajse e sigurt se Kosova nuk do të ketë shpejt një qeveri stabile, e cila do të përmbushë kushtin që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës këtë vit. Kanë mbetur vetëm edhe tri javë deri në takimin e ministrave dhe Kosova nuk është paraparë të jetë në rend dite.

Edhe shteti, i cili më së shumti ka mbështetur Kosovën në këtë drejtim, Gjermania, përmes diplomatëve ka shprehur keqardhje se “Kosova nuk i ka përmbushur kushtet”. Pra, nuk është reale të pritet që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës pa dërgimin e draftit “evropian” të Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Megjithëse e padrejtë, kjo ka qenë kërkesë e pesë vendeve të Quintit. Kosova nuk e ka përfillur dhe nuk ka qenë në rend dite vitin e kaluar. Tash diplomatët e huaj thonë se, “asgjë nuk ka ndryshuar prej atëherë”, që së paku edhe për një vit Kosova nuk do të ketë rastin tjetër për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. Dy njohje që i mori Kosova së fundi, nga Kenia dhe nga Sudani, janë të mirëpritura, por akoma mbetet fakti se Kosova po stagnon në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Nëse nuk do të formohet qeveria dhe nëse shkohet në zgjedhje prapë, ky stagnim vetëm sa do të forcohet.

Kosova mund të hyjë në të ashtuquajturin “skenarin bullgar”: të ketë zgjedhje një herë në vit dhe raporti i forcave politike të mos ndryshojë. Sepse vështirë të pritet që zgjedhjet e reja në Kosovë të sjellin ndonjë ndryshim të madh në vota. Prandaj, e vetmja dalje nga ky ngërç është ndërtimi i një koalicioni, sado joparimor që do të dukej ai. Ka në Evropë dhe në botë raste të shumta në të cilat edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë janë bërë bashkë për interes të shtetit dhe të kombit. Kosova nuk do të ishte as e para, e as e fundit nëse do ta bënte këtë.

Të ngjashme