Lajme
‘Taktika penguese’: Partnerët ndërkombëtarë reagojnë për seancën konstituive, dalin me thirrje për liderët
Demokracia
23:18 | 18 Prill 2025

Share:

Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kanë kërkuar që sa më parë të formohen institucionet e reja, derisa të shtunën pritet të vazhdojë për të tretën herë seanca konstituive, e cila u ndërpre pasi s’u votua raporti për verifikimin e mandateve.

Në një shkrim në rrjetin social “Bluesky”, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka thënë se Kuvendi i Kosovës po mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese.

Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i institucioneve.

“Mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Qytetarët meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën, mbi politikat partiake. Prandaj, e përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme” – ka shkruar Rohde.

Në anën tjetër, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves po ashtu ka theksuar se qytetarët presin nga liderët që të punojnë së bashku.

“Më shumë se dy muaj pasi qytetarët votuan në zgjedhje, Kosovës urgjentisht i duhet një Kuvend funksional dhe një qeveri. Qyetarët kanë të drejtë të presin nga liderët e tyre politikë që të punojnë së bashku në interesin kombëtar” – u shpreh ai në Facebook.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka thënë për “REL” se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës” – u tha nga Zyra e BE-së.

Theksojmë se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e dërgoi sërish në pauzë seancën konstituive.

Ai ka njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të shtunën.

“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që braktisen konsultimet. Fatkeqësisht, nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12, më 19 prill 2025, me shpresë se deri atëherë do të këtë pajtueshmeri” – u shpreh Dehari.

Anise pati mundësi të votojë raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave, duke marrë parasysh se prezentë ishin 100 deputetë në sallën e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk e bëri një gjë të tillë duke e shtyrë krejt këtë proces kështu edhe për 48 orë të tjera.

Opozita në anën tjetër, ka bërë me dije se nuk do ta votojë raportin pa dhënë dorëheqje Albin Kurti dhe ministrat e tij.

Të ngjashme