I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur me takimin e sotëm me ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve.Kam në plan t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi Lajçak.
“Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur. Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licencimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”. Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Ndryshe, ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë.