Lajme
Takimi në Bruksel pa marrëveshje për dinarin, Ukaj: Serbia po vazhdon me taktizimet e saj
Demokracia
19:49 | 18 Prill 2024

Share:

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe rundi i katërt në mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb.

Për këtë analisti politik, Fidan Ukaj thënë se Serbia është duke vazhduar me taktizimet e saj dhe duke përdorur këtë mundësi për propagandë dhe jo siç tha ai për të ndihmuar qytetarët serbë të Kosovës.

“Nga takimi i sotëm u pa se prapë palët nuk kanë një përafrim në qëndrime dhe kishim kritika në adresë të njëri-tjetrit. Megjithatë insistimi i Bashkimit Evropianë për më pas një takim të radhës vazhdon. Serbia vazhdon me taktizimet e saj duke e përdorur këtë mundësi për më i dhënë ato të mira ekonomike për për qytetarët serbë të Kosovë, jo si një problem për dhëmshuri për qytetarët për të i marrë ato të mira materiale, por duke i përdorë ashtu siç i ka përdorë në të kaluarën për më i realizua politikat propagandistike të Beogradit dhe të Vuciqit…Problemi më shumë është duke u përdorur për propaganda nga politika serbe“, ka deklaruar ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ai tha se është e çuditshme se si Bashkimi Evropian është duke vazhduar të tolerojë Serbinë.

“Sa herë të na thërrasin në takim ne duhet që të shkojmë, por nuk duhet  të lëvizim nga qëndrimet tona dhe nuk duhet dalur asesi nga rregullorja e BQK-së…Megjithatë është duke vazhduar kjo politika toleruese e BE-së ndaj Serbisë. Me qëllimin për me marrë në gjirin e perëndimit, por një gjë të tillë Serbia nuk po e dëshmon. Nga perëndimi po i merr vetëm fondet, me to po i blenë armatimet në Kinë, Rusi e Iran dhe është e çuditshme se si kjo tolerancë vazhdon akoma”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha ai.

Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Të ngjashme