Lajme
“Takimi Kurti-Vuçiç do të riciklojë episodet e shfaqjeve të dështimit”
Demokracia
21:08 | 22 Qershor 2024

Share:

Takimi i 26 qershorit në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas njohësve të çështjeve politike, do të riciklojë vetëm episodet e shfaqjeve të dështimit, assesi të prodhojë ndonjë rezultat pozitiv.

Të prononcuarit e Albanian Post kanë vlerësuar se, duke qenë se zgjedhjet parlamentare janë afër, kryeministri Kurti po shkon në këtë takim për konsum të brendshëm.

Të enjten, Bashkimi Evropian, përmes zëdhënësit të saj, Peter Stano, konfirmoi se Kurti e Vuçiç, do të takohen më 26 qershor në kryeqendrën evropiane, Bruksel.

Ky takim do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel.

Dakordimi për organizmin e një takimi të nivelit të lartë u bë pas vizitave që i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilloi në Prishtinë dhe Beograd.

Për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, qëllimi i takimit është i thjeshtë: Implementimi i Marrëveshjes Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër më 18 mars, 2022), që Kurti e Vuçiç e kanë arritur.

“Deri tani është parë që takimet kanë qenë për konsum të brendshëm e jo për implementim të marrëveshjes dhe duket që këtë herë do të jetë një takim – në parim – jemi marrë vesh për t’u mos marrë vesh”, thotë Haziri.

Ndërsa, sipas Bekim Çollakut, ish-Ministër për Integrime Evropiane, në një situatë normale, me liderë të përgjegjshëm në vendet përkatëse, takimi i 26 qershorit do të konsiderohej si një mundësi tjetër reale për marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe njohjes reciproke.

“Mirëpo në rrethana aktuale dhe me dy liderët populist, ky takim do të riciklojë vetëm episodet e shfaqjeve të dështimit. Pra, një mundësi tjetër e humbur”, thekson Çollaku.

Në prizmin e tij, nuk ia vlen të presim ndonjë progres përmbajtjesor nga asnjëra palë lidhur me zbatimin e marrëveshjes të arritur ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç-it.

“Ndoshta në këtë takim të dy liderët më shumë do të flasin për pushimet verore, se sa për zbatimin e obligimeve që kanë marr përsipër”, ironizon Çollaku.

Për Hazirin nuk ka asnjë dyshim se Kurti po shkon në Bruksel “për konsum të brendshëm”, derisa jep edhe një arsyetim për këtë.

“Sepse në këtë fazë jemi disa muaj para zgjedhjeve dhe i duhet për konsum të brendshëm”, shton ai dhe insiston se “kurrfarë motivi tjetër nuk ka”.

Prandaj, numri dy i LDK-së potencon se për të dhe jo vetëm, “është e çuditshme parimi i marrëveshjes për të shkuar për t’u takuar dhe në fund për t’u mos u marrë veshë asgjë”.

Ky takim u konfirmua pasi që u bë me dije se brenda Bashkimit Evropian nuk ka pajtim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura para një viti, por si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.

Ky kompromis u arrit pas diskutimeve që u zhvilluan më 19 qershor në Komitetin për Politikë dhe Siguri të BE-së (PSC), ku morën pjesë përfaqësuesit e shteteve anëtare të bllokut.

Ndryshe, takimi i fundit në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë ishte zhvilluar në shtator të vitit të kaluar.

Takimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjatë kësaj periudhe, ishin mbajtur në nivel të kryenegociatorvëe, përkatësisht mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç-it.

Përkundër takimeve të shumta, ka munguar arritja e ndonjë marrëveshje, apo zbatimi i atyre që paraprakisht janë dakorduar./AP/

Të ngjashme