Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është takuar me homologun e saj palestinez, Riyad Al-Maliki, në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë, i cili u mbajt me 11-13 mars. Por, këtë takim Gërvalla e kishte mbajtur të fshehtë.
Ishte Demokracia.com e para që raportoi për takimin e fshehtë të kryediplomates Gërvalla dhe homologut të saj palestinez Riyad Al-Maliki.
Në këtë takim ishte diskutuar edhe për çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe këtë e kishte bërë të ditur në një njoftim për media vetë Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës, përcjell Demokracia.com.
Siç thuhet në njoftimin për media, gjatë takimit Gërvalla shprehu dëshirën e Kosovës për të forcuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Palestinës.
Pas këtij raportimi, ka reaguar edhe ambasadori i Palestinës në Beograd, Mohammed Nabhan, i cili për mediat serbe ka thënë se për Palestinën kjo nuk ka kurrfarë rëndësie dhe nuk nënkupton një ndryshim të pozicionit të Palestinës për Kosovën.
Nabhan ka thënë se qëndrimi i Palestinës për Kosovën bazohet në respektim të Rezolutës 1244.
Ambasadori palestinez duke folur për vendimin e Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem, për Gërvallën ka thënë se nuk e di mjaftueshëm se çfarë kuptimi ka Jerusalemi për Palestinën dhe arabët.
Ndryshe, ministri Al-Maliki i kishte thënë Gërvallës se Palestina gëzon një marrëdhënie të veçantë me Serbinë, duke shtuar se mundësia e shqyrtimit të ndërtimit të çfarëdo marrëdhënie dypalëshe me Kosovën kushtëzohet me transferimin e Ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi në Tel Aviv.
Kosova në të kaluarën nuk kishte kërkuar asnjëherë njohje nga Palestina. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: