Lajme
Takimi i Escobarit me liderët opozitarë e fut në paranoja Kurtin
Demokracia
17:57 | 24 Gusht 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti është kthyer sot në 2:30 të mëngjesit nga udhëtimi që e kishte nisur javën e kaluar kishte shkuar në Bruksel për takim me Vuçiqin. Në mungesë të tij, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar shtyn përpara agjendën duke realizuar darka e takime  me liderët e opozitës dhe presidenten Vjosa Osmani që ishte në Kosovë. Por, Kurti që doli sot në konferencë për media u pa që nuk i kishte pëlqyer takimi i Escobar me opozitën.

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, dje ka arritur në Kosovë. Zyrtari i Washingtonit ishte kujdesur që t’i ftonte për një darkë në rezidencën e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë tre liderët e partive opozitare në Kosovë, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

Ky takim i emisarit amerikan me treshen opozitare ka ardhur pas takimit në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, takim i cili përfundoi pa sukses për çështjet që ishin ngritur.

Kjo lëvizje e Escobarit dhe takimi me liderët e partive opozitare e ka futur në paranoja kryeministrin Albin Kurti, i cili pyetjen që iu bë pikërisht për këtë takim në konferencë pas mbledhjes së qeverisë e shfrytëzoi për ta ngacmuar emisarin amerikan.

Kurti ka thënë se në takimin me Escobarin do të kujdeset ta pyes se si ka kaluar në takim dhe si janë opozita. Pastaj paralajmëroi edhe takim me krerët e opozitës gjatë këtij muaji.

“Është e vërtetë që unë s’e kam takuar opozitën, prej që Kuvendi ka shkuar në pushim veror. E pash dje që përveç meje edhe z.Gabriel Escobar e kishte marrë malli për opozitën. Edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Dhe do ta pyes z. Escobar se qysh ka kalu me opozitën, si është opozita si e kemi opozitën”, ka thënë sot shefi i Qeverisë kur u pyet për takimin e Escobar me partitë opozitare.

Lidhur me darkën e Escobar me opozitën dje gjatë ditës kishte bërë një reagim edhe Hysamedin Feraj i Vetëvendosjes, duke pyetur nëse opozita do ta njoftojnë Escobarin se “duan rrëzimin e Kurtit”.

“A do t’i njoftojë opozita Ecobarin dhe Lajçakun, in personae, se janë po aq të vendosur sa Lista serbe dhe njëkohësisht me serbët e veriut, pra mbas 1 shtatorit, ta rrëzojë qeverinë Kurti bashkë me kërkesat që  e kanë acaruar situatën, domethënë Vuçiqin? Të presim e të shohim!”, ka shkruar Feraj.

Të ngjashme