Lajme
​Tahiri: Vendimi për uljen e pagave për gjyqtarët e prokurorët të dërgohet në Kushtetuese
Demokracia
17:46 | 23 Nëntor 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët e prokurorët, duke thënë se si i tillë është antikushtetues dhe si i tillë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se për të qenë ironia më e madhe, ky vendim antikushtetues që shfuqizojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese bëhet në emër të kthimit të ligjshmërisë në vend.

“Bëjmë thirrje te deputetët dhe tek Avokati Popullit që këtë vendim arbitrar dhe hakmarrës ndaj sistemit të drejtësisë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe rivendosjen e kushtetutshmërisë në punën e sistemit të drejtësisë”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë i Besnik Tahirit:

Sot, Qeveria prishi vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave në sistem të drejtësisë. Kjo u bë në mënyrë kundërkushtetuese, sepse vendimi Qeverisë Haradinaj me një vendim të Gjykatës Kushtetuese ngeli në fuqi. Për pasojë, më nuk bëhet fjalë për vendim të Qeverisë Haradinaj, por për vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të ndryshohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, apo me amendament kushtetues të përfaqësuesit të sovranit të Kosovës.

Ekziston një praktikë e Komisionit të Venecias dhe një standard kushtetues që thotë se pagat e sistemit të drejtësisë mund të ulen vetëm në rast të një krize e recesioni të rëndë ekonomik e financiar, të vlerësuar gjerësisht nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Në Kosovë, ky nuk është rasti! Së paku jo për momentin! Këtë që e thotë Komisioni i Venecias, e gjejmë jo rrallë në dispozita kushtetuese të vendeve ish-komuniste, si një garanci kushtetuese. Përtej kësaj, Komisioni i Venecias ka thënë se ulja e pagave në mënyrë arbitrare dhe pa provuar se vendi gjendet në krizë të rëndë ekonomike dhe financiare, përbën ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë.

Bëjmë thirrje te deputetët dhe te Avokati Popullit që këtë vendim arbitrar dhe hakmarrës ndaj sistemit të drejtësisë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe rivendosjen e kushtetutshmërisë në punën e sistemit të drejtësisë.

Të ngjashme