Lajme
Tahiri: Qeveria i ka bllokuar komunat – ka harruar dialogun social
Demokracia
20:28 | 01 Nëntor 2024

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se në kontratën kolektive është paraparë që komunat dhe institucionet tjera arsimore të planifikojnë, ndërsa niveli qendror të ofrojë zgjidhje financiare.

Përmes një reagimi në Facebok, Tahiri ka thënë se kur të bartet një obligim duhet të sigurohet edhe financimi i tij.

“Përmbushja e kontratës kolektive nga komunat, që as nuk janë palë në kontratë dhe as nuk përfshihet në politikën komunale, është e padrejtë, për shkak se çdo herë që bartet një obligim duhet të sigurohet edhe financimi i tij”, ka thënë Tahiri.

Reagimi i plotë:

Qeveria, ka bllokuar komunat – ka harruar dialogun social

Secili qytetarë i vendit fillimisht, duhet të njoftohet se kontrata kolektive e lidhur mes Ministrisë së Arsimit (MAShT/MASh) dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) përfaqësonte zotimin për dialog social.

Duhet theksuar se në kontratën kolektive është paraparë që komunat dhe institucionet tjera arsimore të planifikojnë, ndërsa niveli qendror të ofrojë zgjidhje financiare. E lidhur në vitin 2017 dhe e vazhduar në janar të vitit 2021, nga ajo kohë qeveria pasuese nuk ka reflektuar dhe as ndihmuar komunat. Si rrjedhojë e ndërprerjes së dialogut social nga një parti që proklamohet si social-demokrate, në nëntor 2022 është njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës kolektive. Pasojat e kësaj tashmë ndihen, edhe për shkak të një mendimi juridik të Gjykatës Supreme, ku referohet vendimi i qeverisë i vitit 2008 dhe detyrimet nga kontrata kolektive për kërkesat e mësimdhënësve për kompensim mbi bazën e kualifikimeve dhe kompensim për inflacionin gjatë periudhës së zbatimit të kontratës, pa trajtuar ndërprerjen e saj.

Kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, të përllogaritura deri në 35 milionë euro. Për rrjedhojë, komunave po u bllokohen llogaritë bankare dhe po dëmtohen në vlerësimin e menaxhimit nga auditimi financiar. Përmbushja e kontratës kolektive nga komunat, që as nuk janë palë në kontratë dhe as nuk përfshihet në politikën komunale, është e padrejtë, për shkak se çdo herë që bartet një obligim duhet të sigurohet edhe financimi i tij.

Gjykata përkatëse do të duhej të trajtojë këtë temë dhe të japë një vendim të shpejtë dhe meritues, që komunave t’u hiqet barra dhe bllokimi nga kontrata kolektive. Ajo duhet të ngrejë çështje kushtetuese kur preket autonomia financiare dhe të fillojë dialog të dyanshëm me paditësit (palët e kontratës kolektive), si dhe me nivelin qendror.

Në përfundim, qeveria, duke hequr dorë dhe lënë barrën mbi komunat, dëshmon se dialogu social nuk ekziston. Ajo nuk ka shqetësim për të zgjidhur obligimet e veta që kanë mbetur barrë për komunat dhe për mësimdhënësit, mjekët dhe administratën.

Të ngjashme