Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në seancën e Kuvendit të së enjtes ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se për tri vjet në pushtet nuk ka arritur që të shënojë asnjë moment suksesi e progresi në vend.
Sipas tij, në këto tri vite produkt i kësaj qeverie kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni në Korporatën Energjetike të Kosovës.
“Për këto tri vite qeverisje anemike, nuk arritëm asnjëherë të shënojmë momente suksesi e progresi të qeverisjes në vend. Ne jemi kundërshtarë politikë, por ia duam suksesin këtij vendi dhe do të donim që për këto vite të kishim pasur sado pak progres në zhvillimin ekonomik, do të donim të diskutonim për zhvillimet në shëndetësi, infrastrukturë e rritjen e mirëqenies për qytetarët”, ka thënë Tahiri para deputetëve.
“Por, për fat të keq këto tema nuk kanë zënë vend në diskutimet tona në këtë legjislaturë. Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni në Korporatën Energjetike të Kosovës, me kontrata njëburimore që janë burim i korrupsionit e që si të tilla kontrata të nënshkruara nga zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, arrin vlerën e hiç më pak se rreth 75 milionë euro. Nuk kishte si të përfundonte ndryshe veç se ky zotëri të përfundojë në Dubravë aty ku është sot”.
Ai tutje ka shtuar se produkt i qeverisjes ka qenë ambasadori Martin Berishaj, “shpëlarës i parave të pista të mafias energjetike serbe, të cilat përfunduan në Kosovë e në Mal të Zi, e i cili për hiç më pak se 2 milionë euro tërhoqi para kesh në sy të institucioneve të Kosovës i papenguar e edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë imunitet e përkrahje si nga kryeministri Kurti ashtu edhe nga presidentja Osmani”.
“Produkt i qeverisjes Kurti për tri vite është edhe Faruk Mujku, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje i arrestuar për korrupsion, të cilit i janë gjendur para kesh rreth 60 mijë euro në shtëpi dhe i njëjti kishte deklaruar vetëm 500 euro në Agjencinë Kundër Korrupsionit”, ka shtuar Tahiri.
“Është vjedhja e rezervave shtetërore përmes mikut tuaj Ridvan Muharremi. Vidhet në vaj, në grurë, në sheqer. Lidhjet me Radojçiqin. Ikja masive e të rinjve tanë, kjo është arsyeja pse Qeveria Kurti nuk guxon të nisë regjistrimin e popullsisë. Produkt i qeverisjes tuaj është Besnik Mujeci, një narkotrafikant që u kap me drogë me vlerë 500 mijë e që nuk po lejoni që t’i bastisen pronat. Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit është produkt i kësaj qeverie”.
Shefi i deputetëve të PDK-së ka paralajmëruar se në vijim do të elaborojnë kontratat njëburimore të trashëgimisë kulturore, “ku shihet se si vidhet në emër të restaurimeve e në emër të dëshmorëve”.