Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka quajtur kryeministrin Kurti spektator në njëvjetorin e qeverisjes së tij.
Tahiri ka thënë se qeverisja njëvjeçare e Kurtit e ka emëruesin e përbashkët paaftësi si në rrafshin e brendshëm edhe në atë të jashtëm, raporton Gazeta Express.
Sipas shefit të deputetëve të PDK-së, viti i parë I qeverisjes e kanë shfaqur një tipar themelor të Kurtit atë të spektatorit.
“Të gjitha zhvillimet e këtij viti të parë të qeverisë, e kanë sjellë në sfond një tipar themelor të Kryeministrit Kurti: tiparin e të sjellurit si spektator, përballë dinamikave politike, sociale dhe ekonomike dhe ndërkombëtare që janë shfaqur në horizont gjatë kësaj periudhe. Në parim, qeveria ka shumë detyra, përmbushja e të cilave nuk është diçka për t’u krenuar sepse ato i ka përcaktuar ligji dhe janë detyrim i saj. Por ka detyra që rrjedhin nga natyra qeverisëse, të cilat, edhe pse nuk janë përcaktuar me ligj, kur qeveria i realizon siç duhet, mund të krenohet me to e madje të na bëjë të gjithëve të krenohemi me të. Një prej këtyre detyrave të natyrshme qeverisëse është vëmendja rreth zhvillimeve që karakterizojnë kohën dhe hapësirën në të cilën ndodhemi. Diçka, të cilën fatkeqësisht Kryeministri Albin Kurti nuk e ka shfaqur në asnjë çast, tash e një vit prej se është në pushtet”, ka thënë Tahiri.