Lajme
Tahiri: Kurti s’është pronar i Kosovës, s’e lejojmë ta cenojë sovranitetin e shtetit
Demokracia
23:45 | 11 Tetor 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe deputeti Abelard Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk do të lejohet që ta nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë që do ta cenonte sovranitetin e Kosovës.

Ai ka thënë se PDK nuk e sheh Kurtin si pronar të Kosovës.

“Nuk e shohim Kurtin si pronar të Kosovës, nuk e lëmë me shku drejt një marrëveshje që e cenon sovranitetin e Kosovës. Ai është kryeministër, por do të ikë në të ardhmen”, ka deklaruar Tahiri në T7.

Ai ka folur edhe për propozimet e fundit që i ka pranuar Kurti për marrëveshjen me Serbinë, që ai i ka quajtur franko-gjermane dhe në formë të lëngshme.

Tahiri ka thënë se edhe qeveria e Kurtit është e lëngshme. Ai ka thënë se Kurti nuk ka guxim, dije e transparencë.

“Krejt qeverisja është në formë të lëngët, që s’ka formë. Po e përmbyllë vitin e dytë të qeverisjes pa e nisur asnjë projekt. Këtij kryeministri i mungon guximi, dija e transparenca. E ka një lloj frike. Propozimet e lëngshme, që po i quan Kurti, bëhen të ngurta vetëm kur të votohen në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai tutje.

Ndërsa për draftet ose propozimet që qarkullojnë në forma të ndryshme, Tahiri ka thënë se PDK nuk e ka poseduar ndonjë të ngjashme.

“PDK nuk ka pasur drafte të tilla, sepse ato nuk diskutohen me opozitën, por me qeverinë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se Kurti po trajtohet në mënyrë korrekte nga opozita, por ka rikujtuar trajtimin që Kurti si opozitar dikur ia bënte qeverive të mëhershme në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

“Jo vetëm PDK, por të gjitha partitë në parlament, kanë qenë jashtëzakonisht konstruktive me Kurtin. Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përjashto njërën, janë votuar. Ju kujtohet gjuha denigruese e tij sa ka qenë në opozitë për një dekadë në Kuvendin e Kosovës. Asnjë iniciativë nuk e ka votuar, as marrëveshjen për Stabilizim Asociim, as pakon e ligjeve që e ka përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur”, ka thënë ai.

Të ngjashme