Intervista
Tahiri: Kurti ka dhënë zero kontribut për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës
Demokracia
08:27 | 23 Qershor 2023

Share:

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, ka qenë e ftuar në emisionin “Top Story” të Grida Dumës. Në këtë emision, zonja Tahiri ka folur për situatën aktuale politike në veri të Kosovës.

Ish-kryenegociatorja kosovare ka theksuar se statusi i Kososvës është i mbyllur.

“Kryeministri i tanishëm ka dhënë zero kontribut në periudhën e çlirimit e pavarësisë. Nuk mund të luhet lehtë statusi i Kosovës, statusi është i mbyllur Kosova është e pavarur pavarësisht se çfarë mendon Serbia.” – tha ajo në “Top Story”, transmeton Top Channel.

Tutje, Tahiri e ka kritikuar Kurtin edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit pa njohjen reciproke me Serbinë.

“Fillimi i proceseve politike kanë nënkuptuar edhe fillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe negociatat. Kurti e dështoi Kosovën në këto negociata në Bruksel, sepse arriti marrëveshjen bazë me planin franko-gjerman pa njohje reciproke. Biden thoshte se ky dialog duhet të fokusohet në njohjen reciproke, Albini e humbi rastin për këtë periudhë. Ai ka qenë i kufizuar mes populizmit të tij dhe mungesës së zotësisë si burrë shtetas. Sepse ti kur negocion me armikun në numër një ke shtetin pastaj pushtetin. Ai thoshte nuk shkoj kurrë në dialog pa kërku falje Serbia për gjenocidin. Të gjitha i harroi rrugës shkoi në dialog pa falje e pranoi asociacionin. Kemi të bëjmë me një kryeministër i cili praktikisht që populizmin e shfrytëzoi, mori simpatinë dhe nuk i mbajti premtimet. Ai duhej të rivlerësonte ecjen e punës. Ai nuk ka as përvojë në negociata por as njohuri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kemi të bëjmë me një kryeministër që nuk ishte gati të qeveriste e as për dialog. Në këto gjëra duhet të kesh kredibilitet. Tensionet në veri nuk janë serioze. Janë krijuar nga nevoja e Kurtit.” – tha ajo.

Të ngjashme