Lajme
Tahiri kritikon Qeverinë: Projektligji për Mbështetjen e Punëve Publike do të duhej të diskutohet me komunat para se të vijë në Kuvend
Demokracia
12:50 | 17 Tetor 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për Projektligjin për Mbështetjen e Punëve Publike, duke thënë se ky projektligj nuk është diskutuar me asnjë komunë dhe sipas tij ti i tillë nuk do të duhej të sillet në Kuvend për shqyrtim.

Tahiri në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit kritikoi qeverinë po ashtu edhe për mosrealizimin e projekteve për vitin 2022.

Ai tha se qeveri deri në tetor ka shpenzuar vetëm 25 për qind të buxhetit.

“Ajo çka dua të ritheksoj para juve janë dy projektligje të cilat i kemi në rend të ditës të enjten në fillim të seancës së parë plenare. E para është shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbështetjen e Punëve Publike, ky është projektligj jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një projektligj i cili trajton edhe çështjen e inflacionit edhe çështjen e shumë kantatave të cilat nuk po arrin të realizohen, kontrata këto të punëve të ndryshme publike, qofshin ato rrugë, qofshin ato shkolla, qofshin ato ndërhyje të ndryshme të qeverisë së Kosovës të cilat nuk po arrin të realizohen për shkak të rritjes së çmimeve dhe rritjes së inflacionit. Ajo çka duhet të theksohet se sikur të kishim pas një qeveri shumë më efikase në realizimin e projekteve të cilat i kanë pas në buxhet për vitin 2022, edhe për vitin 2021, mirë, për vitin 2021 nuk po e fajësojmë sepse e ka marrë mandatin në mars dhe me një buxhet të përgatitur. Mirëpo në vitin 2022 ju e dini se ky është një projekt buxhet të cilin e ka miratuar vetë kjo qeveri dhe nuk ka arrit me implementu deri tash në gjysmën e tetorit as rreth 25 për qind e totalit të buxhetit nuk është shpenzu për projektet e parapara”, tha Tahiri, përcjell Demokracia.com.

Ai shtoi se ka bilance të cilat i ka zhvlerësuar inflacion, ndërsa nga ana tjetër, sipas tij ka mungesë të realizimit të projektit.

“Dhe tash ku jemi? Jemi në një situatë ku duhet të shpenzojmë maksimumi 20 për qind të vlerës së projektit siç e parasheh ky ligj, nga ato mjete të cilat i kemi në bilance bankarë të cilat janë diku rreth 700 milionë në kuadër të bilancit bankar. Në anën tjetër i kemi bilancet të cilat i ka zhvlerësua inflacioni për një masë rreth 20 për qind dhe në anën tjetër e kemi mungesën e realizimit të projekteve të cilat do të duheshin me u realizu dhe mos me ardhë në një pikë çfarë kemi ardhë sot”, tha Tahiri.

Tahiri kritikoi qeverinë që ky projektligj nuk është diskutuar edhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

“Pra këtë gjendje e ka shkaktua mosefikasiteti i duhur i kësaj qeveri në realizimin e kësaj qeverie. Kjo është një çështje e cila po ashtu na shqetëson fakti që një projektligj i tillë nuk është konsultuar me Asociacionin e Komunave. Dhe është e pa pranueshme që një projektligj i tillë të vije në Kuvendin e Kosovës pa u diskutuar me të gjitha komunat”, përfundoi Tahiri. /Demokracia.com/

Të ngjashme