Lajme
Tahiri: I papranueshëm barazimi i agresorit me viktimën në deklaratën për të pagjeturit që u pranua nga Kurti
Demokracia
10:58 | 03 Maj 2023

Share:

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për deklaratën për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë, për të cilën pati vërejtje për shkak të termit “personat e zhdukur me detyrim”, i cili u përdor në vend të termit “personat e zhdukur me forcë”.

Ish kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se barazimi i agresorit me viktimën në këtë deklaratë, është i papranueshëm, pavarësisht se është pranuar nga kryeministri Kurti.

“Barazimi i agresorit me viktimën në deklaratën për të pagjeturit i miratuar dje ne dialog ne Bruksel është i papranueshëm pavarësisht se u pranua nga kryeministri i Kosovës”, ka shkruar ajo.

Për këtë çështje, gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe ish-kryesuesi i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ka thënë se “është tmerruar” kur e ka parë Deklaratën për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel në mes të Kosovës dhe të Serbisë.

Hasani thotë se ajo ka dy probleme në dokumentin e nënshkruar. E para është se Kosova barazohet me Serbinë, ndërsa e dyta është se Kosova nuk ka ekzistuar si shtet para 2008-ës dhe nuk mund të marrë përgjegjësi për atë se çfarë ka ndodhur.

“Ajo deklaratë është mirë së pari që është bërë dhe duhet të përshëndetet pasi bëhet fjalë për një plagë që po na shoqëron që disa vite pa llogaritur vuajtjet individuale. Por në aspektin ndërshtetëror ajo deklaratë ka dy defekte jashtëzakonisht serioze pasi më ka çudit nga ata që eventualisht mund ta këshillojnë Kurtin, po flas për vendorët jo për ndërkombëtarët”, tha ai.

“Ajo që quhet zhdukje me forcë, po e shoh që menjëherë ka filluar barazimi me gjuhën shqipe. Me këtë është larguar çdo përgjegjësi e shtetit serb për këtë kategori të personave. E dyta, do të thotë, është çështja palët që i kanë në posedim provat e tyre. Kjo është e pakuptimtë. Kosova është ndërtuar si shtet, siç thotë një studiues britanik, në natën e 17 shkurtit 2008. Deri atëherë në Kosovë ka ekzistuar administrata e UNMIK-ut. Si mund të jep përgjegjësi Kosova për një periudhë kur nuk ka ekzistuar”, shtoi Hasani.

Ndërkaq, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se është prerë shpresa për të gjithë familjarët e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Haziri tha se nuk ishte zgjidhja e duhur që kjo çështje të trajtohet në të njëjtën ditë me draft-statutin e Asociacionit.

“Sot është prerë shpresa për familjarët e të zhdukurve. Është prerë sepse kjo marrëdhënie do të jetë e kushtëzuar. Në takimin e sotëm nuk ka pasur pritje më shumë, përkundër krejt zhvillimeve, deklarata e të pagjeturve me dhunë u pranua nga palët. Fatkeqësisht, u humb një vit kohë për kërkesë që të përfshihet terminologjia sipas Konventës Ndërkombëtare që personat e zhdukur me dhunë të jenë pjesë e marrëveshjes, mirëpo nuk u arrit. Si e tillë, mund të themi që është humbje kohe dhe është zgjedhur ditë e keqe që kjo marrëveshje të jetë në të njëjtën ditë me draft-statutin e Asociacionit. Kosova edhe një herë nuk arriti ta vendosë terminologjinë e kërkuar që pati zotime në Prishtinë nga kryeministri, Albin Kurti. Në anën tjetër, draft-statuti si i tillë është prezantuar, natyrisht që dokumenti si i tillë nuk është pranuar”, deklaroi Haziri në emisionin Info Nata.

Madje sipas tij, Haziri vlerësoi se Kosova do ta ketë problem serioz ofrimin e dëshmive eventuale për ato raste që Serbia do të vazhdojë t’i mbajë peng.“Dashtë Zoti që të gjitha ata të zhdukur me dhunë së paku të gjenden informacionet dhe të dhënat që Serbia i mban peng. Serbia i ka të gjitha llojet e shërbimeve për rastet që kanë ndodhur në Kosovë”, shtoi tutje Haziri.

Edhe sipas nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një gabim ahistorik.

“Sot ishte përvjetori i masakrës në Studime, ku 116 civil të pambrojtur, gra e burra, pleq e fëmijë, u vranë brutalisht nga aparati shtetëror i Serbisë. Po sot, Kryeministri Kurti bëri një gabim ahistorik”, shkroi ajo në Facebook.

Ajo shprehet se është shqetësuese se si bëhet barazimi palëve sa i përket provave materiale për të zhdukurit, të cilat prova gjoja gjenden nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve.

“Kjo Deklaratë përfundimisht e liron Serbinë nga përgjegjësia ndërkombëtare për zhdukjen me dhunë të individëve gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) kurse Kosovën e gjuan në rolin e palës që ka kryer krime në mënyrë institucionale, njëjtë sikur Serbia. Skandaloze”, përfundoi ajo.

Të ngjashme