Lajme
Tahiri e Murati përplasën për Lagjin e Pagave dhe tërheqjen nga Trusti
Demokracia
11:00 | 26 Maj 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe ministri i Financave Hekuran Murati janë përplasur gjatë seancës plenare rreth Ligjit të Pagave dhe tërheqjes së mjeteve nga Trusti. 

Në fjalën e tij, ministri Murati ka thënë se detyrë e Qeverisë në kohën e krizës inflacionare është t’i mbështesë ata që kanë nevojë më së shumti, duke shtuar se Qeveria ka vendosur për tërë vitin të rritet buxheti për 30 për qind për rastet e familjeve sociale.

“Në muajin prill kishim dyfishim të pagesës. Ne si Qeveri që dy herë tentojmë ta kalojmë në Kuvend marrëveshjen për skemat sociale por nga PDK-ja e LDK-ja refuzohet. Kur po flasim se kush ka nevojë me së shumti, ju po refuzoni. Pastaj është paga minimale të cilën ju gjithashtu e keni refuzuar. Njëjtë do të veproni edhe me Ligjin e pagave. Do ta sjellim dhe sërish ju do ta refuzoni. Ne e kemi sjell ligjin për pagën minimale në kuvend, dhe çka bëhet lëshohet salla, nuk votohet. Kërkesa juaj ka qenë të mos rritet për ata që shpenzojnë për të gjithë. Ju kërkoni që rritja të bëhet për të gjithë, në mënyrë që të ankoheni pastaj se qeveria ngriti çmimet”, ka thënë Murati.

Ndërsa, Tahiri ka reaguar duke i thënë ministrit se “një ministër i papërgjegjshëm si ti, nuk duhet t’ia lejojë vetës të marrë vendim për rritje të pagës minimale pa përfshirje dhe pëlqim të partnerëve socialë”, ka thënë ai.

“Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i kemi votuar. Këtë (për skemën sociale) nuk e kemi votuar se është e dëmshme. Ti ke kërkuar me rrit energjinë dhe është një vendim që është pezulluar. Ju krejt çka kërkoni është ta kini kompetencën tuaj ngritjen e pagës minimale dhe kjo s’ka më ndodh”, tha ai.
/Demokracia.com/ 

 

Të ngjashme