Lajme
Tahiri: Cili investitor i huaj investon në një vend kur kryeministri flet për luftë
Demokracia
13:13 | 05 Janar 2023

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeminisrin e Kosovës, Albin Kurtin, për siç thotë ai ”diskursin e luftës“.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka pyetur se cili investitor i huaj do të investonte në një vend kur kryeministri flet pë luftën që po kanoset.

”Në vitin 2023, kemi hyrë me pasoja të retorikës së kryeministrit gjatë 2022-tës. Përderisa në Ukrainë luftohej agresioni rus, në Kosovë flitej për luftë nga kryeministri i vendit. Nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte”.

“Ta mendosh se çfarë dëmi i ka bërë kjo Kosovës, do të thotë të kesh në mendje tre parametra: Cili investitor i huaj do të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset? Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër të tillë? Çfarë e ardhmeje ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai thotë se këtë diskurs Kurti e ka përdorur për t’iu ikur problemeve reale.

“Në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme