Gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se liberalizimi i vizave për serbët e Kosovës të cilët kanë pasaporta ilegale ishte një vërejtje politike dhe diplomatike e BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës.
Tahiri tha se Qeveria e Kosovës ka pasur pak shpresa që vendimi final për liberalizimin e vizave për serbët që kanë pasaporta të lëshuara nga Zyra Koordinuese Serbe, të mos hynte në fuqi deri në konsolidimin e institucioneve të reja të BE-së.
“Ishte e pritshme pasi Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar e mori vendimin për këtë liberalizim, për personat që i mbajnë këto pasaporta që i lëshon Zyra Koordinuese Serbe, e cila zyrën kryesore e ka në Beograd dhe një tjetër në Nish”, tha Tahiri në Rubikon, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka lexuar mirë këtë situatë, ku sipas tij, qeveria ka mundur të ndryshojë situatën, ku nëse jo ta tërhiqte këtë vendim, të paktën ta shtynte deri në një situatë më ta favorshme diplomatike.