Lajme
Tahiri: Antikushtetutshmëria në këtë Qeveri është duke u bërë normë dhe standard qeverisës
Demokracia
13:16 | 26 Mars 2023

Share:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka paraqitur dy shqetësime ndaj Qeverisë.

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shqetësimi i parë është për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial, i cili sipas tij ka vërtetuar se kjo qeveri si normë qeverisëse ka “anti-kushtetueshmërinë” e se po mundohet që t’i “kapë” të gjitha institucionet e pavarura.

“Kemi dy shqetësime të mëdha. E para ka të bëjë me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial. E dyta është për gjendjen e rëndë ekonomike, për krizën e madhe që është në institucionet bazë të ekonomisë, në BQK, bordi i Trustit dhe vendimi për shtrenjtimin e rrymës”.

“Vendimi i fundit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial vërteton se anti-kushtetueshmëria në këtë qeveri është normë dhe standard qeverisës. Kjo qeveri shtyn ligje të cilat i ka kontestuar komisioni i Venecias dhe instanca jopolitike e nivelit vendor dhe ndërkombëtar. Synim kanë që përmes ligjeve t’i kapin institucionet e pavarura. Kjo logjikë duhet të thehet. Pushtetet janë të ndara”, ka thënë Tahiri, në konferencën për medie.

Ndërsa deputeti i kësaj partie, Fatmir Gashi, ka thënë se është ë pakuptimtë që të lihen 2.5 milionë ëuro në fondin pensional pa menaxhim.

Ai ka thënë se ka pritur reformim të këtij sistemi, siç ka ndodhur në vendet e rajonit.

“Duke parë rënien ekonomike në gjithë botën, të mos formohet bordi i Trustit është e pakuptueshme nga kjo qeveri. Fondi pensional i menaxhon 2.5 milionë euro dhe ato janë të lëna pa mbikëqyrje. Nëse shohim vendet e rajonit, të gjitha kanë reformuar sistemin pensional”.

Gashi ka shprehur shqetësime edhe për punën e Bankës Qendrore dhe shtrenjtimin e rrymës.

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2024