OpEd
Ta shohësh botën me sytë e Putinit
Demokracia
17:16 | 14 Prill 2022

Share:

Nga Douglas London “CNN”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është ndër ata që paralajmërojnë një “fazë të re” të luftës në Ukrainë, e cila ka të ngjarë të përfshijë luftime më të ashpra. Ky mesazh paralajmëron nevojën e rritjes së sasisë dhe të cilësisë së furnizimeve me armë për Ukrainën.

Ndërkohë liderët perëndimorë po përgatiten për një konflikt të zgjatur, duke pasur parasysh mundësinë e zbehtë që presidenti rus Vladimir Putin të nxitojë drejt një tërheqjeje nga pushtimi, pavarësisht nga humbjet e tij në fushën e betejës dhe sfidat në rritje brenda Rusisë.

Fakti që Putini do ta përshkallëzojë shumë shpejt fushatën e tij ushtarake me një strategji të “tokës së djegur” që synon civilët, nuk do të thotë se ai mund të durojë edhe për shumë kohë kostot në rritje si pasojë e kësaj lufte. Perëndimi duhet ta pranojë, se Putini nuk është ai që ruan statuskuonë apo që luan sipas rregullave të të tjerëve.

Por ai nuk është as një kamikaz, që do e hedhë veten në erë nëse vendoset nën një presion ekstrem. E ardhmja varet nga vlerësimi i saktë i synimeve të Putinit përmes mendësisë dhe botëkuptimit të tij, dhe jo tonin, një kapacitet që Perëndimit – dhe sidomos Shteteve të Bashkuara – historikisht i ka munguar.

Putin është një ish-oficer i KGB-së, që ishte në moshë madhore gjatë Luftës së Ftohtë. Oficerët e inteligjencës, sidomos ata që drejtojnë operacione në vende të tjera, janë njerëz që e marrin në sy rrezikun, por nuk janë kumarxhinj.

Përpjekja për ta parë këtë konflikt si një përplasje ekzistenciale qytetërimesh, nuk ishteemocionale, dhe vështirë se ishte tipike e karakterit të Putinit, duke pasur parasysh prejardhjen e tij, e cila përfshin një predispozitë për ta përdorur terrorizmin si një mjet për arritjen e synimeve.

Kethrin Belton, autore e librit “Njerëzit e Putinit:Si KGB-ja mori nën kontroll Rusinë, dhe më pas e pushtoi Perëndimin”- shkroi se gjatë punës së tij në selinë e KGB në Drezden – në atë kohë pjesë e Gjermanisë Lindore – Putin punoi në mbështetje të anëtarëve të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, një grupim terrorist i ekstremit të majtë, që ishte përgjegjës për shumë sulme me bomba, rrëmbime dhe atentate në Gjermaninë Perëndimore në vitet 1970-1980.

Putini vështirë se mund të frenohet nga rendi i pas Luftës së Dytë Botërore apo rregullat e Markezit të Kuinbërit për sjelljen sportive. Ai beson se SHBA-ja dhe aleatët e saj vendosën rregulla të tilla, për të promovuar vlerat dhe interesat e tyre në kurriz të Rusisë.

Ajo përvojë iu soll në shtëpi, teksa ai pa rënien e Bashkimit Sovjetik dhe bashkë me të, rendin botëror bipolar që kishte njohur. Prandaj, kursi i mëpasshëm i Putinit duhet të cilësohet si një surprizë e vogël, duke parë atë çka po ndodh gjatë 20 viteve të fundit, dhe për sa kohë që ne nuk përpiqemi ta kuptojmë atë nga ndonjë gjë tjetër përveç perspektivës së tij.

Është e rëndësishme të ç’mitizojmë vendimet e tij, duke kuptuar se mendësia e Putinit është produkt i një përvoje raciste, elitiste dhe ksenofobike të KGB-së të kohës së Luftës së Ftohtë. Unë kam kaluar një jetë në llogoret e spiunazhit, duke drejtuar operacione të inteligjencës kundër njerëzve si Putini dhe kolegëve të tij në KGB, FSB dhe SVR.

Takimet e mia me ta, më ofruan pamje të ndryshme për shkak të rrethanave të tyre të ndryshme. Si shef stacioni i CIA-s, më duhej herë pas here të përballesha me oficerë agresivë të inteligjencës ruse, të cilët kishin vënë nën shënjestër anëtarë të komunitetit amerikan të inteligjencës.

Në një nga përvojat e mia më të spikatura, ishte kontakti me një oficer të inteligjencës ruse, që e kisha nxitur të bashkëpunonte me ne. Ai do të kishte qenë një bashkëkohës i Putinit, më i moshuar se unë në atë kohë. Ishte shumë i arsimuar, një personazh i aftë në përshtatjen me rrethanat.

Në publik shfaqej si një njeri erudit dhe diplomatik. Një natë qëndronte i relaksuar vetëm me mua në makinën e tij. Gjithë mbrëmjen kishte pirë. Ndoshta për shkak të asaj gjendje, unë u përballa me një fjalim të gjatë të tij mbi shekuj e privilegjit të ligjshëm që gëzonte Rusia në arenën botërore, dhe poshtërimeve të imponuara nga Perëndimi.

Oficeri i acaruar i KGB-së, më tha se racat e bardha të Rusisë dhe SHBA-së, duhet të jetojnë dhe të lënë të jetojnë të tjerët, si dhe të fokusohen në “kërcënimet e kolonës së pestë”, dhe tek sfidat veri-jug nga “ana e më pak të civilizuarve”, që sipas tij duhej të mbaheshin nën kontroll.

Fjalimi i tij u ndal më pas tek “pushtimet e hordhive plaçkitëse mongole”, një fjalë e koduar për Kinën, për “barbarët turq që vinin nga stanet e Azisë Qendrore”. Ai e shoqëroi komentin e tij me sharjet etnike dhe dekadencën e Amerikës, duke filluar nga homoseksualët tek ushqimi i shpejtë dhe si për ironi, abuzimi me substancat.

Në fund, kur ndoshta filloi të kthjellohej, oficeri i KGB-së i bëri një mbrojtje akademike të sistemit të vendit të tij. Modeli autoritar i Moskës, shpjegoi ai, e shpërblente konformitetin dhe besnikërinë, dhe nga kjo përfitonte elita. Proletariati përfitonte vetëm në këmbim të shërbimit të padiskutueshëm dhe besnikërisë.

Spiuni veteran, më foli për një strukturë që përvijohej përgjatë linjave të një sistemi të rrjedhshëm të shpërndarjes sociale dhe ekonomike. Sistemi sovjetik, më tha ai, ishte më efikas dhe më i drejtë se ai i Perëndimit të korruptuar dhe kaotik, shkruan CNA.

Vladimir Putini është mishërimi i një jete të tillë. Vetë veprimet e tij tregojnë se ai ka një besim të fortë në thënien më groteske të Sun Tzu dhe Makiaveli, se qëllimet justifikojnë mjetet. Ukraina, beson ai, ashtu si shtetet e tjera ish-sovjetike, janë pjesë të pushtuara që i përkasin historikisht Rusisë, sepse kjo ishte ajo që ai ishte i kushtëzuar të besonte.

Dehumanizimi i ukrainasve, dhe pretendimi i kërcënimeve nga brenda Rusisë, i jep mundës të përdorë spastrimet, urinë dhe kampet e përqendrimit si ato që Josif Stalini i përdori pa hezitim. Aftësia e Putinit për t’i cilësuar njerëzit si “mushkonja” tradhtare , të cilët duhet të përshtaten me regjimin, duhet të riedukohen ose hiqen qafe, nuk është një çmenduri apo diçka unike për të.

Ne duhet ta pranojmë qëndrimin e tij, si pasqyrimin e një mentaliteti të rrënjosur në gabimet historike, të cilave ai dhe ata të brezit të tij, besojnë se i është nënshtruar Rusia. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë, Perëndimi duhet të jetë i vendosur që të mos lejojë vazhdimin e pafundmë të luftës në Ukrainë.

Putin vuan nga arroganca dhe mendjemadhësia e të fuqishmëve. Nëse është si oficerët e tjerë të inteligjencës ruse që kam njohur dikur, Putini ka të ngjarë të jetë natyrshëm mbrojtës kur sfidohet, duke besuar se përfundimet e tij janë produkt i studimit intensiv, ekspertizës dhe testimit.

Pikëpamjet alternative, janë sipas tij të padenja për t’u respektuar. Por Putini do ta ketë kuptuar tashmë se plani i tij i pushtuar kishte shumë meta. Kur Putini gjendet në një pozitëtë fortë, ai nuk ka nevojë të bllofojë. Përkundrazi, ai thjesht vepron për të shfrytëzuar avantazhin e tij.

Në rast se negociatat ofrojnë mundësinë e një marrëveshjeje, ajo do të jetë po aq e detyrueshme sa rrethanat mbizotëruese, duke kërkuar një fushatë afatgjatë për të ruajtur presionin e duhur mbi të. Por rreziku do të vijë nga lodhja e publikut dhe vetëkënaqësia politike që mund të ndodhë, kur Ukraina të largohet nga titujt kryesorë të mediave.

Të mbash nën kontroll Putinin, do të thotë ta kujtosh të kaluarën si një prolog. Paqja do të kërkojë vigjilencë dhe qëndrueshmëri në shfrytëzimin e pasojave të prekshme të agresionit. Putini mund të përshkallëzojë ende veprimet e tij, nëse do të ketë mundësi ta bëjë këtë. Ai do të testojë kufijtë tanë, por do të bëjë kompromis nga nevoja, nëse nuk mundet të vazhdojë më tej. Ajo që Putini nuk do të bëjë, është të reformojë apo braktisë vizionin e tij. Ndaj është e domosdoshme që ta kuptojmë atë pikëpamje duke e parë botën përmes syve të tij.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024
OpEd • 28 Qershor 2024