Lajme
Szunyog shpreson se marrëveshja e Ohrit të implementohet sa më shpejt
Demokracia
13:28 | 09 Maj 2023

Share:

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka deklaruar marrëveshja e Ohrit është një arritje në dialogun Kosovë Serbi, marrëveshje kjo e cila shpreson se do të implementohet sa më shpejt që është e mundur.

Szunyog i bëri këto komente në përuruan Muralit të Energjisë së Mirë pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Kosovë në Prishtinë, e cila simbolizon të ardhmen energjetike me rastin e Ditës së Evropës.

Ai u shpreh i lumtur që ka përfunduar edhe çështja e liberalizimit të vizave, me të cilën kosovarët mund të udhëtojnë në vendet e Schengen, pa viza nga janari i vitit të ardhshëm.

“Është e qartë po ashtu se është një vit i arritjeve në dialog, kemi marrëveshjen e Ohrit dhe shpresojmë që kjo do të implementohet sa më shpejt që është e mundur. Po ashtu, jemi të gatshëm për të mbështetur Kosovën me implementimit e strategjisë së energjisë…Bashkë me qeverinë kemi arritur që të finalizojmë këtë pako të mbështetjes energjetike që është mjaftë e konsiderueshme në madhësi, por po vazhdojmë edhe me projekte të tjera duke ndihmuar Kosovën që të bëjë atë tranzicionin për të arritur qëllimet e marrëveshjes së gjelbër dhe standardet evropiane sepse e shohim Kosovën, ashtu siç e shohim edhe gjithë rajonin si shtete anëtare të ardhme të BE, pra duam që Kosova t’i përmbush të gjitha standardet evropiane sa më shpejt që është e mundur. Gjithsesi që duhet të përmend për këtë vit kam kënaqësinë që përfundimisht kemi përfunduar edhe çështjen e vizave dhe jam shumë i kënaqur që kosovarët do të arrijnë më në fund të udhëtojnë në vendet e schengenit, pa viza që prej 1 janarit”, tha Szunyog.

Mes tjerash, Szunyog tha se edhe sot vendi është në një periudhe lufte, sipas tij kjo nuk e godet vetëm Ukrainën që është sulmuar nga Rusia por edhe gjithë Evropën në aspektin e sigurisë e politikës por edhe në aspektin energjetik dhe sigurisë së ushqimit. Me ç’rast, shtoi se ka një numër pasojat negative nga lufta dhe një prej të cilave është rritja e çmimit të energjisë në Evropë dhe se për këtë po fokusohen në çështjen e energjisë edhe në kursimin e energjisë, por edhe tek tranzicioni energjetik për një rrjet sistem energjie që është i gjelbër i sigurt dhe i mirë.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli potencoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Rizvanolli para mediave tha se BE ka qenë dhe mbetet një ndër partnerët kyç i cili ndër vite ka mundësuar që ta përforcojë sektorin tonë të energjisë.

“Ne si shtet i Kosovës megjithëse i ri, kemi qëndruar dhe ndajmë plotësisht këto vlera të BE-së dhe shohim të ardhmen tonë askund tjetër përveç në BE, në të ardhmen. Veçanërisht në vitet e fundit kemi shënuar shumë suksese në këtë drejtim, duke përfshirë këtu përfundimin e procesit të liberalizmit të vizave, fillimin e procesit të anëtarësimit Këshillin e Evropës, aplikimin për anëtarësim në BE, si dhe progres në të gjitha fushat në agjendën e reformave evropiane. Dhe jemi të përkushtuar që këto t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen. BE ka qenë dhe mbetet një ndër partnerët tonë kyç i cili ndër vite na ka mundësuar që ta përforëcojmë sektorin tonë të energjisë. Gjatë vitit të fundit kemi pas gjithashtu një përkrahje të jashtëzakonshme të BE-së në menaxhimin në përballje e krizën”, tha Rizvanolli.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës, Szunyog do të marrë pjesë dhe në Masterklasën “Aftësitë e artit në rrugë”, si dhe në hapjen e ekspozitës “Vala tjetër”, në Shtëpinë e Evropës.

Ndërsa, në mbrëmje në Bibliotekën Universitare do të mbahet Koncerti “Chopin Piano Fest”.

Të ngjashme