Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shqetësoi dje opinionin publik duke e përkujtuar me fjalë të zgjedhura kryeministrin e vrarë serb Zoran Gjingjiq. Por, kjo parti ka pasur komunikata në faqen e saj të Internetit në lidhje me Gjingjiqin e të cilat janë hequr më pas.
Këto komunikata nuk shprehnin megjithatë fjalë të zgjedhura të mira si ato të kryeministrit Kurti gjatë ditës së djeshme.
“Gjingjiq synonte ndarjen e shpejtë të Kosovës dhe Bosnjës, dhe integrim të shpejtë të Serbisë në NATO dhe BE.” – shkruante në komunikatën “Gjumi i thellë dimëror i politikanëve shqiptarë”, Vetëvendosja.
Aty Gjingjiqi paraqitej si politikan pragmatist, që ishte vrarë pikërisht shkaku i këtij pragmatizmi.
“Dy vjet e gjysmë më vonë, këtë gjë do ta paguajë me kokë kryeministri serb Zoran Gjingjiq, jo pse ai ishte tepër demokrat sipas peshores serbe, por sepse ishte tepër pragmatik,” – vazhdonte në po të njëjtën komunikatë kjo parti politike.
Ndërkohë, në komunikatën “Pavarësia e Decentralizuar” ku flitej për projektet e politikanëve serbë për ta ndarë Kosovën, përmendej edhe ideja e Gjingjiqit për federalizimin e saj.
“…Është po kjo gjykatë speciale për krime lufte dhe kriminalitet të organizuar që u formua vetëm më 1 korrik 2003: pasi që u vra Gjingjiqi dhe me synim që të ndjeken vrasësit e tij, e jo kriminelët serbë të luftës.” – shkruan më tej kjo parti në të njëjtën komunikatë.
Për çudi, asnjëra nga këto nuk janë përmendur nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë ditës së djeshme.