Sport
Sylvinho do të pajiset me pasaportë shqiptare, thotë se është ‘shqiptar puro’
Demokracia
19:10 | 22 Nëntor 2023

Share:

Trajneri brazilian i Kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, do të jetë shtetasi më i ri i Republikës së Shqipërisë, duke u pajisur me pasaportë shqiptare, pasi ka pranuar ta marrë këtë nënshtetësi.

Lajmi është bërë publik gjatë një videomesazhi të lëshuar në median sociale Facebook, nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili së bashku me Sylvinhon, bëri me dije se tekniku ka pranuar të pajiset me pasaportën shqiptar.

Me humor, gjatë videos, ai ka thënë madje se është “shqiptar puro”.

Trajneri kuqezi në fakt ishte pjesë e Ditës Arbëreshe, ku iu dha edhe dekorata e Shqiponjës së Artë nga kryeministri Edi Rama.

Shefi i qeverisë tha se këtë vlerësim nuk e ka për një shqiptar dhe për një arbëresh, por një personalitet, i cili sipas tij është një “shqiptar në lindje e sipër”.

“Këtë shqiponjë, nuk e kam as për një shqiptar, as për një arbëresh, por shqiptar mund të lindësh, dhe shqiptar mund të bëhesh. Këtë shqiponjë e kam për një shqiptar në lindje e sipër. Dua ta ftoj këtu trajnerin e kombëtares tonë”, tha Rama teksa i dorëzonte “Shqiponjën e Artë” trajnerit Sylvinho.

Ky i fundit, shkurtimisht falënderoi të gjithë për nderin që i kanë bërë me akordimin e titullit dhe këtë e ka bërë në gjuhën shqipe.

Teksa, nga braziliani dhe futbollistët e kombëtares, pritet edhe më shumë në kampionatin evropian Euro 2024, i cili do të zhvillohet në Gjermani dhe ku Shqipëria do të jetë pjesë.

Të ngjashme