Qyteti më i madh i Australisë, Sydney ka paralajmëruar se nga muaji tjetër mund të lehtësohen masat e bllokimit, që erdhën si pasojë e COVID-19. Por me kusht që të arrihet një prag vaksinimi, raporton BBC.
Qeveria e shtetit publikoi të enjten “udhërrëfyesin drejt lirisë” të shumëpritur, në të cilin parashihet që vendi të dalë nga bllokimi kur 70 për qind e të rriturve të jenë vaksinuar.
Kryeqyteti i shtetit New South Wales (NSW), ka qenë i mbyllur që nga korriku për shkak të një shpërthimi të variantit Delta.
Kryeministrja Gladys Berejiklian ka theksuar se njerëzit duhet të përshtaten se virusi është në komunitet, pasi shumica e shoqërisë të vaksinohet.
Ajo nuk pranoi të caktoj një datë për rihapjen, por tha se do të ndodhë të hënën e parë pasi të ketë arritur targetin prej 70% të vaksinuar.
Ajo tha se vetëm njerëzit e vaksinuar plotësisht mund të kenë qasje në privilegje të tjera si:
Pesë vizitorë lejohen në një shtëpi
Mbledhje në natyrë prej 20 personash
Udhëtim përreth shtetit
Në nivel kombëtar, 64% e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë. NSW regjistroi mbi 1400 infeksione të reja të enjten, një tjetër rekord ditor, përhapja e tij ka marrë 153 jetë.
Aktualisht, më shumë se gjysma e 25 milionë njerëzve të Australisë janë nën mbyllje, si dhe ka edhe shpërthime në Victoria dhe territorin e kryeqytetit Australian. /Demokracia.com/