Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se nga sot ka filluar patrullimi ujor i pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fund të shtatorit të vitit 2018, presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi e kishte vizituar dhe kishte patrulluar nga afër në Liqenin e Ujmanit.
Kryeministri i tashëm Albin Kurti, vizitën e Hashim Thaçit në Ujman dhe patrullimin ujor së bashku me policët, e kishte quajtur inskenim.
Por, pothuajse katër vjet pas kësaj vizite të Thaçi në Ujman, Sveçla po krenohet me patrullimin ujor të kësaj pjese.
Për dallim nga Thaçi, Sveçla nuk e ka patrulluar e as vizituar nga afër Liqenin e Ujmanit, por vetëm përmes një postimi dhe disa fotografive në rrjetin social Facebook, ai ka njoftuar se ka filluar patrullimi i rregullt ujor i vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe patrullimi i gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit.
Postimi i plotë i Sveçlës, pa ndërhyrje:
Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës!