Lajme
Sveçla zotohet se Serbisë s’do t’i lejohet organizimi i referendumit në Kosovë
Demokracia
18:54 | 15 Janar 2022

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për miratimit të rezolutës për ndalimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se me miratimin e rezolutës Kuvendi i tha jo referendumit serb në Kosovë dhe se Kosova s’do të lejojë që të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit.

“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Pra, sovraniteti i vendit tonë dhe integriteti territorial i Republikës, është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët pa dallim, që ne nuk jemi kundër askujt dhe nuk mohojmë të drejtën e askujt për të zgjedhur. Por, ne nuk do të lejojmë që për qëllime politike të Serbisë, të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit”, ka thënë ai.

Sveçla ka përsëritur se qytetarët serbë me dy shtetësi mund të votojnë me postë apo përmes Zyrës Ndërlidhëse.

Ndërsa sa i përket ndalimit të gjashtë serbëve dhe dy kamionëve mbrëmë në Merdare që po transportonin material zgjedhor të referendumit, Sveçla ka thënë se janë të përkushtuar në sigurinë e qytetarëve.

“Me këtë rast dëshiroj të shprehë falënderimin dhe vlerësimin tim për Policinë e Kosovës, Doganën e Prokurorinë, për profesionalizimin dhe koordinimin e treguar mbrëmë, në ndalimin e futjes së materialit për referendumin që do të mbahet në Serbi. Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë me profesionalizëm dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ata që kontribuojnë në të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve dhe vlerat demokratike të këtij vendi”, përfundon Sveçla.

Të ngjashme