Lajme
Sveçla ua rrezikon informatorët institucioneve të sigurisë, zbulon të dhëna konfidenciale
Demokracia
19:20 | 07 Dhjetor 2022

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sot ka publikuar informacione konfidenciale, duke i rrezikuar informatorët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe shkelur ligjin.

Duke iu referuar të dhënave të inteligjencës, Sveçla konfirmoi se një pjesë e kriminelëve në veri vijnë nga radhët e ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Tashmë i kemi të dhënat e para të mbledhura nga terreni, qoftë nga Policia apo nga inteligjenca, e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, theksoi Sveçla.

Megjithatë, siç mëson Demokracia.com, zbulimi i këtij informacioni konfidencial nga Sveçla, përveç që është i kundërligjshëm, ai i ka alarmuar edhe informatorët e institucioneve të sigurisë.

“Nuk është hera e parë që ministri Xhelal Sveçla po zbulon informacione të klasifikuara. Kjo po ndikon jashtëzakonisht shumë keq në hetimet e mëtejme, veçanërisht me bashkëpunëtorët e jashtëm, pasi ata po ndjehen të rrezikuar dhe nuk po guxojnë të ndajnë më informacione me ne”, ka thënë një zyrtar i institucioneve të sigurisë në kushte anonimiteti për Demokracia.com.

Raporti që përfshin emra të ish-policëve serbë të përfshirë në cenimin e rendit kushtetues në veri, siç ka mësuar Demokracia.com, u është dorëzuar institucioneve gjatë ditës së sotme.

Të ngjashme