Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se mbrëmjen e 10 dhjetorit janë ngritur gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ai tha se pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për arsye sigurie.
Sveçla në konferencën për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tha se barrikadat janë vendosur pas arrestimit të ish-polici i PK-së, Dejan Pantiq, me arsye, siç tha ai, pengimin që Pantiq të dërgohej në jug, pas caktimit të masës së ndalimit prej 48-orësh.
Ai tha gjithashtu se mbrëmjen e 10 dhjetorit është shkëmbyer zjarr afër digës së Ujmanit.
“Në disa lokacione janë hedhur shok-bomba, ndërsa njësitet policore kanë shkëmbyer zjarr me disa grupe kriminale pas një sërë sulmesh të organizuara nga këto grupe, pranë digës së liqenit të Ujmanit. Pas shkëmbimit të zjarrit situata është vënë nën kontroll dhe është nën vëzhgim shtesë”, tha Sveçla.
Ai tha më tej se Policia ka kapacitete të duhura të veprojë në këtë drejtim.
“Në momentin që e vlerëson të duhur, nëse barrikadat nuk hiqen, do të ndërmarrin veprimet e duhura. Gjithë këto po ndodhin koordinim me partnerët. Besoj se shumë shpejt do të arrijmë situatën ku nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë”, ka thënë Sveçla.