Lajme
Sveçla i del kundër presidentes dhe ambasadorit amerikan: Kemi kapacitete për t’i mbajtur dhe siguruar zgjedhjet
Demokracia
15:34 | 07 Dhjetor 2022

Share:

Mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara kryesisht me serbë është vënë në rrezik pas sulmeve të së martës.

Se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, sot ka pohuar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ai ka thënë se për momentin nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, shkruan Demokracia.com.

Hovenier ka thënë se ky fakt është shqetësues për ta, teksa kërkoi nga palët të tregohen të vetëpërmbajtura.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se për momentin nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, shkroi Hovenier.

Por, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i është përgjigjur indirekt ambasadorit amerikan nga Ura e Ibrit.

Ai para gazetarëve ka thënë se institucionet janë të gatshme që t’i mbajnë zgjedhjet në veri.

“Absolutisht që po, absolutisht ne kemi kapacitete me i mbajt zgjedhjet”, ka thënë Sveçla.

Lidhur me mundësinë e shtyrjes së mbajtjes së zgjedhjeve, Bekim Kupina këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se kjo u takon institucioneve të Kosovës.

“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin.

Ndryshe, për situatën në veri sot ka pasur reagime edhe nga ambasadorë të tjerë të akredituar në Kosovë, të cilët i kanë dënuar incidentet duke u shprehur të shqetësuar se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve.

E nga Qeveria e Kosovës janë shprehur se po presin vlerësimin e situatës në veri për hapat e mëtejmë.

“Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në fund, siç ndodhi edhe herën e kaluar nga kryeministri Albin Kurti, mund të presim edhe nga presidentja Osmani që të dalë e të thotë se ambasadori amerikan ka informacione më shumë për situatën në veri, kështu që po i shtyjmë zgjedhjet. /Demokracia.com/

Të ngjashme