Lajme
Sveçla: Asnjë polic që ka zhveshur uniformën s’mund të kthehet
Demokracia
21:26 | 25 Prill 2023

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se asnjë nga ish-policët që zhveshën uniformat e policisë në veri, nuk do të mund të kthehen në vendin e punës.

Sveçla në RTK tha se ndonjë që është nën moshën 30 vjeç dhe nuk ka të kaluar kriminale mund të jetë pjesë e konkurseve për polic, por në asnjë mënyrë ata që kanë të kaluar kriminale.

Ai po ashtu ka deklaruar se do t’u përgjigjen të gjitha kërcënimeve që vijnë nga Serbia dhe grupeve kriminale të Milan Rodojçiqit pas zgjedhjeve të së dielës në komunat veriore.

Sveçla tha se kryetarët e rinj do të shkojnë në punë dhe nuk do të mund t’i pengojë askush.

Sipas tij, “kërcënimi dhe shantazhi i Serbisë ka shkuar deri në atë shkallë sa që presidenti i Serbisë kishte deklaruar se ka një listë më serbët cilët do të arrestoheshin posa që kalojnë në Serbi”. Ai shprehet se “kjo për qytetarë të zakonshëm është e rendë, sepse Vuçiqi i cilësonte si tradhtarë ata që do të dilnin të votonin të dielën”.

Sveçla tha se Serbia ka bërë një “fitore” kriminale të dielën duke ndërhyrë në zgjedhje me kërcënime dhe shantazhe.

“Ditën e diel afër qendrave të votimit kishte njerëz që vëzhgonin procesin dhe shikonin nëse ndonjë serb do të dilte për të votuar”, vijoi i pari i MPB-së. Për Sveçlën, këta persona tashmë janë të njohur për organet e rendit të cilët shumë shpejt do të dalin para drejtësisë.

Po ashtu, ai tregoi se persona të tillë ishin aty për të identifikuar votues potencial dhe t’i raportonin Serbisë për ta.

“Ata ish-policë që kohë më parë i zhveshën uniformat e policisë së shtetit të Kosovës në veri, nuk do të mund të kthehen më në polici. Ndonjë që është nën moshën 30 vjeç dhe nuk ka të kaluar kriminale mund të jetë pjesë e konkurseve për polic, por në asnjë mënyrë ata që kanë të kaluar kriminale”.

 

Të ngjashme