Lajme
Suspendohet drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi
Demokracia
18:04 | 21 Korrik 2022

Share:

Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në mbledhjen konstituive me shumicë votash ka votuar për suspendim të përkohshëm të drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Kështu bëri të ditur në një konferencë për medie, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku e cila tha se ushtrues detyre i drejtorit të FSSH-së është zgjedhur Bujar Kaquri.

“Në këtë mbledhje konstituive u zgjodh kryesuesja, përfaqësuesja e MSH-së dhe zëvendëskryesuesi, përfaqësues nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës. Në këtë takim me shumicë votash u vendos që të suspendohet apo largim i përkohshëm i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Po ashtu, në këtë mbledhje me shumicë votash u emërua si ushtrues i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore Bujar Kaquri. Në mbledhjen e radhës do të emërojmë Komitetin e Auditimit të Brendshëm drejt ngritjes së nivelit të funksionit të Auditimit të Brendshëm në institucion dhe do të kërkojmë raporte të rëndësishme. Kjo do të trasojë veprimet tona për kthim të ligjshmërisë, transparencës e llogaridhënies së Fondit për sigurime shëndetësore, shmangies së nepotizmit dhe konfliktit e interesit në ushtrim të detyrave, auditim gjithëpërfshirës e bashkëpunim me organet e rendit dhe akuzës”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë tregoi edhe arsyen e largimit të përkohshëm të drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

“Koha e suspendimit ashtu siç parashihet me legjislacion do të respektohet ajo kohë, mirëpo do të mundohemi që sa më shpejt edhe si Bord të marrim edhe vendimin përfundimtar. Arsyetimi që është dhënë për largim të përkohshëm nga detyra e drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore është që të kemi një siguri ne si Bord në këtë fazë në sigurimin e informacioneve dhe raporteve të ndryshme që na duhet t’i analizojmë për një periudhë kohore”, tha ajo.

Dafina Gexha-Bunjaku, e cila është edhe kryesuese e Bordit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, tha se kanë synim ndërtimin e sistemeve të sigurimeve shëndetësore, funksionalizimin e sistemit informativ shëndetësor dhe standardizimin e licencimit të profesionistëve shëndetësor.

Ajo tha se janë në dijeni për problemet që ka Fondi e që sipas saj pjesa më e madhe buron nga mënyra e drejtimit të këtij institucioni.

“Fondi nga qeveritë e kaluara i është dhënë kompetencë kryerja e një funksioni siç është trajtimi i rasteve jashtë institucioneve shëndetësore publike, qoftë brenda vendit, qoftë edhe jashtë vendit. Kryerja e këtij funksioni nga ky institucion më së pakti mund të quhet haptazi se nuk është pjesa me çfarë dikush do të mund të krenohej. Jemi në dijeni për tepër shumë probleme. Të gjitha do të adresohen. Një pjesë e tyre e madhe burojnë nga mënyra e drejtimit të Fondit dhe pjesa nga konceptimi paradoksal i këtij institucioni. Synimi ynë në këtë fazë tranzitore është që ta transformojmë mbështetjen e shtetit për pacientët në një sistem efektiv dhe efikas. Çdo kush që ka nevojë për trajtim jashtë institucioneve tona duhet të merr shpejt dhe me rezultate optimale kushdo që do të përpiqet që të devijojë këtë mbështetje do të përballet fuqishëm me organet ligjzbatuese”,tha ajo.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaquri tha se do të punojë në funksionalizimin e skemës së sigurimeve shëndetësore dhe se çdo shqetësim për funksionalizim dhe menaxhim të FSSH-së do ta adresojnë tek organet gjegjëse.

“Planet dhe objektivat, të cilat do të përcaktohen nga Ministria dhe Fondi, së bashku do të punojmë drejt këtyre planeve dhe funksionalizimit të skemës së sigurimeve shëndetësore. Na duhet pak kohë derisa këto plane të hartohen dhe pastaj të vihen në zbatim. Gjithçka çka është ngritur si shqetësim rreth funksionalizimit të Fondit dhe mënyrës së menaxhimit do të adresohet tek organet gjegjëse”, tha ai.

Të ngjashme