Policia e Kosovës ka njoftuar se me vendim të drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Jugut, dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë janë suspenduar nga detyra për 72 orë.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Ky vendim është marrë në orët e hershme të ditës së sotme, më 03 maj 2025 pasi dy zyrtarët policorë dyshohet se janë të përfshirë në shkelje disiplinore”, thuhet në njoftim.
Hetimet ndaj dy zyrtarëve do të vazhdojnë varësisht nga cilësimi i shkeljeve disiplinore nga Drejtoria e Hetimeve të Brendshme.
Suspendimi i tyre u bë pasi një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje ka arritur të vjedhë një armë zyrtare brenda Stacionit Policor në Jug, dhe më pas është transportuar me armën në brez drejt Stacionit Policor në Veri, pa u vënë re.